Termat ofendues dhe denigrues, si “hajvan”, “njeri i Serbisë”, “të shitur”, “hibridë”, “Vukvendosje”, “sekt politik” e të tjera, janë bërë pjesë e fjalorit të pothuajse të gjitha partive kryesore politike në Kosovë.
Gjuha e tillë, e përdorur publikisht nga politikanët prej vitesh, ka arritur kulmin në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, vlerësojnë përfaqësues të shoqërisë civile, analistë dhe ekspertë të sjelljeve shoqërore dhe mediave.
Fushata zyrtarisht nis më 17 dhjetor, por partitë politike i kanë nisur tashmë aktivitetet e tyre: takime me qytetarët, adresime publike dhe debate televizive.
Ajo që bie në sy është fokusi i tyre – më shumë te sulmet dhe akuzat ndaj njëri-tjetrit, dhe thuajse aspak te prezantimi i programeve zgjedhore.
“Në vend të debatit mbi ide, politika shihet si një luftë ndërmjet [njerëzve] ‘të mi’ dhe ‘tuaj’”, thotë Mexhide Demolli nga Lëvizja FOL – pjesë e rrjetit të organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim, e cila monitoron fushatat dhe proceset zgjedhore në Kosovë.
“Një kulturë e tillë e ofendimit, fatkeqësisht, shihet si forcë, e që konsideroj se është gabim”, shton ajo.
Fjalët armiqësore si “strategji e qëllimshme”
Analisti politik, Artan Muhaxhiri, e sheh intensifikimin e gjuhës denigruese si pasojë të tendencës së partive politike për përfitime maksimale elektorale.
Si shembull, ai përmend Lëvizjen Vetëvendosje dhe udhëheqësin e saj, Albin Kurti, që në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare – shkurt 2021 dhe shkurt 2025 – arritën rezultatin më të mirë, por pa suksese të mëdha në programin politik apo ekonomik, sipas tij.
“Kësisoj, fjalët armiqësore janë shndërruar në modelin më joshës për të arritur majat e pushtetit”, thotë Muhaxhiri.
“Përzgjedhja e këtij formati të veprimit politik edhe nga partitë ish-opozitare, gjithsesi është indikator i mungesës drastike të ideve, guximit dhe – ç’është më e rëndësishmja – vetëdijes emancipuese për urgjencën e të sfiduarit kritik”, shton ai për Radion Evropa e Lirë.
Në vitin 2021, Lëvizja Vetëvendosje fitoi mbi 50% të votave dhe tri partitë tjera të mëdha mbetën jashtë pushtetit.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje doli sërish e para, por pa arritur të sigurojë shumicën për të qeverisur vetë.
Dështimi për të formuar Qeverinë çoi më pas drejt zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.
Muhaxhiri thekson se mungesa e platformave vizionare, të bazuara në ekspertizë, zëvendësohet me polarizime dhe etiketime njollosëse ndaj kundërshtarëve. Sipas tij, kjo retorikë fyese synon motivimin e votuesve përmes ngarkesës emocionale negative, duke minimizuar përgjegjësinë etike për të kontribuar në mënyrë konstruktive.
Demolli, gjithashtu, e sheh këtë si një strategji të qëllimshme: gjuha e ashpër mobilizon bazën militante të partive dhe krijon ndjenjën e urgjencës: “Nëse nuk votoni për ne, do të ketë katastrofë”.
“Kjo i shtyn njerëzit të dalin në votime në ditën e zgjedhjeve”, thotë Demolli.
Për t’i mobilizuar votuesit, ajo thotë se partitë politike, gjithnjë e më shumë, përdorin gjuhë fyese ndaj kundërshtarëve edhe në rrjetet sociale, ku marrin numër të madh shikimesh e komentesh.
Kështu “edhe injorohen debatet mbi programet zgjedhore dhe çështjet e rëndësishme si buxheti, arsimi e shëndetësia”, sipas saj.
Përplasjet në rrjetet sociale
Alban Zeneli, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se partitë politike, si gjeneratore të gjuhës së ashpër fyese dhe denigruese, e kanë polarizuar shoqërinë.
Ky polarizim, jo rrallë ushqehet edhe në debate televizive, thekson ai.
“Sado që mund të kemi një rol të caktuar të medias, në kuptimin e zbutjes së asaj gjuhe, problemi kryesor qëndron te gjeneratorët e kësaj gjuhe, që janë partitë politike”, thotë Zeneli për Radion Evropa e Lirë.
Ai shpjegon se barazimi i kundërshtarit politik me armikun, është karakteristikë kryesore e gjuhës që përdoret në rrjetet sociale.
Kjo, sipas tij, vjen në një kohë që njihet si ‘post-truth’, apo ‘përtej së vërtetës’, në të cilën “njerëzit nuk janë të interesuar të dëgjojnë më argumentet dhe faktet objektive”, por janë më të interesuar “të dëgjojnë në mënyrë emocionale një rrëfim që është i përshtatshëm për ta”.
“Kjo epokë në të cilën po jetojmë, e cila karakterizohet me këtë që po e diskutojmë, është shumë e përshtatshme për këtë gjuhë politike që po e përdorin politikanët”, thotë Zeneli për Radion Evropa e Lirë.
Sociologu Artan Krasniqi thekson se gjuha shpreh jo vetëm mendim, por edhe veprim.
Për shkak të mungesës së ofertave politike reale, sipas tij, partitë luajnë rolin e viktimës dhe përdorin ide bllokuese dhe polarizuese, që janë të dëmshme për shoqërinë.
“Kjo politikë e viktimizimit ose politikë e kërkesës së kundërshtarit – nuk po them armikut – tingëllon ose vlerësohet si e efektshme për të mobilizuar dhe elektrizuar votuesin”, thotë profesori i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Ai shton se kjo gjuhë e ashpër, me fyerje dhe denigrime, motivon jo vetëm militantët e partive, por edhe qytetarët e zakonshëm për ta përdorur të njëjtën.
“Kur i thonë ‘hajvan’ ose ‘sekt’ njëri-tjetrit, më tepër e kanë që t’i flasin elektoratit të vet sesa tjetrit”, thotë Krasniqi, duke shtuar se kjo gjuhë bie ndesh edhe me edukimin qytetar dhe, për më tepër, polarizon shoqërinë në atë mënyrë që rrezikon vetë demokracinë.
Dëmtimi i demokracisë
Për rrezikimin e demokracisë tërheq vërejtjen edhe Demolli nga Lëvizja FOL.
Shndërrimi i debatit publik në arenë poshtërimesh nxit “erozionin e kulturës demokratike”, sipas saj.
“Sot fillon me politikanët, nesër kalon te gazetarët, tek aktivistët, te komunitetet e te të gjithë. Me një fjalë, kufiri mes kritikës politike dhe diskriminimit ka filluar të shihet më qartë”, thotë Demolli.
Për Muhaxhirin, po ashtu, retorika denigruese rrezikon standardet demokratike, deformon normat publike dhe zvogëlon hapësirat për bashkëpunim qeverisës.
“Radikalizimi diskursiv ndihmon në krijimin e parakushteve psikologjike dhe sociale për projektimin e sjelljeve agresive prej politikanëve drejt elektoratit, nga studiot televizive nëpër shtëpi, institucione dhe rrugë”, thotë ai.
Si të dilet nga ky vorbull?
Sociologu Krasniqi thekson se të gjithë faktorët shoqërorë – partitë, shoqëria civile, mediat dhe qytetarët – duhet të luajnë rolin e tyre për të zëvendësuar përplasjet me debat konstruktiv mbi ide dhe programe.
Por, receta të gatshme nuk ka: është një proces kompleks që kërkon pjesëmarrje të të gjithëve, sipas tij.
Zeneli paralajmëron se polarizimi i kaluar e ka lënë Kosovën pa institucione për një vit dhe shton se shoqëria nuk e ka luksin ta përsërisë këtë.
Demolli nuk pret ndryshime para zgjedhjeve, por mendon se mediat mund të ndikojnë duke i orientuar debatet drejt programeve dhe ideve, jo sharjeve, dhe duke vendosur kritere që penalizojnë ofendimet në ekranet kryesore.
“Pra, të vendosin rregull që kush flet me ofendime, t’i ndërpritet fjala ose të mos ftohet më në media”, thotë ajo.
Bashkëbiseduesit e REL-it presin që, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, partitë ta zbusin retorikën, por kryesisht për interesa të tyre, duke e përdorur si mjet për të lehtësuar koalicionet paszgjedhore./REL/



Të tjera
Uncategorized
LDK në Istog zyrtarizon tre kandidatët për deputet
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës
Uncategorized
REL: Sharje për vota – programet mbeten në hije
Termat ofendues dhe denigrues, si “hajvan”,
Uncategorized
Dogana zbulon barna të paligjshme në Prishtinë, sekuestron sasi të konsiderueshme
Zyrtarët doganorë, gjatë një kontrolli të