Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti ka reaguar pas paralajmërimit të presidentes Vjosa Osmani për ta dërguar draft-statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe më Gjykatën Kushtetuese.
Hamiti ka pyetur Qeverinë në krye me Albin Kurti se pse e kanë sjell punën me pranu draft-statutin që është në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës.
“Ose e bëtë punën t’ju dorëzohet e ta pranoni Draft-Statutin që është sheshazi në kundërshtim me rendin kushtetues aktual të Republikës së Kosovës? Pse s’e bëtë vetë, për ta interpretuar Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, që ju e shihnit të mirë, ndonëse ishte jo e mirë, sepse shihej se do të shtronte, siç e shtroi, rrugën për Draft-Statut të Asociacionit që është më shumë se kaq, përkufizon autonomi politike-territoriale për serbët? A s’është ky ‘vetëmenaxhimi’ që ju e mburrnit? Thoshit ‘Zajednica nuk kalon’. Tash nuk po mund të garantoni se nuk ka kompetenca ekzekutive. Propagandës së pushtetit të propagandës i doli fala. Mbasi i bëri dëme të mëdha Kosovës, e cila tash e 7 muaj është nën sanksione ndërkombëtare. Për herë të parë në historinë e vet. Me fajin e kësaj Qeverie”, ka shkruar ai.
Presidentja Vjosa Osmani ka paralajmëruar dërgimin e draft-statutit të propozuar nga Brukseli për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Këtë ajo e tha sot në Kuvendin e Kosovës ku mbajt fjalimin vjetor. Pozitës dhe opozitës u kërkoi që të bëhen bashkë për t’i përgatitur komentet lidhur me shqetësimet që kanë kurdo që drafti përfundon në instancën më të lartë gjyqësore në vend.