Kurti në lojë me kartën e diasporës per zgjedhjet e 28 Dhjetorit

LVV-së i dështoi një përpjekje për t’i krijuar disa qendra të reja votimit jashtë vendit, gjë që LDK-ja e quajti sistem të vjedhjes së votave. Kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka nisur para kohe fushatën në diasporë, ndërsa partia e tij po i fton mërgimtarët që të vijnë fizikisht të votojnë në Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje e paraqet diasporën ende besnike ndaj liderit të saj, Albin Kurtit, ndërsa u mundua që për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, t’i transformojë në qendra të votimit jashtë vendit edhe disa “hapësira shtesë, jashtë përfaqësive diplomatike”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 26 nëntor e miratoi këtë propozim të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, të udhëhequr nga Donika Gërvalla. Lokacionet jashtë përfaqësive diplomatike, ishin caktuar 10 qendra votimi: 5 në Gjermani, 3 në Zvicër, një në Mbretërinë e Bashkuar dhe një në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Parashiheshin 43 vendvotime dhe 40,850 persona që mund të regjistroheshin për të votuar atje.

Po atë ditë, Kurti u rizgjodh në një mbledhje të partisë kandidat për kryeministër. Pasi e mori fjalën, akuzoi PDK-në, LDK-në e AAK-në se kishin votuar kundër që “t’ia mundësojnë mërgatës të votojnë në hapësira shtesë”.

“Pra, përkundër votimit të tyre kundër, u miratua hapësira shtesë për votime edhe jashtë ambasadave e konsullatave që fizikisht e bëjnë të pamundur fluksin e qytetarëve tanë atje”, tha ai, duke shprehur gëzimin që kjo u arrit “më në fund”.

Por pak ditë pas, më 30 nëntor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ndryshoi atë vendim të KQZ-së, duke e konsideruar votimin jashtë përfaqësive diplomatike si në kundërshtim me ligjin. Kështu, një ankesë e dorëzuar paraprakisht nga LDK-ja për këtë, u pranua si e bazuar.

“PZAP vlerëson se lejimi i qendrave të votimit vetëm brenda hapësirave të përfaqësive diplomatike është paraparë si masë mbrojtëse për të siguruar integritetin e votës dhe kjo asesi nuk mund të parashihet si pengesë në ushtrimin efektiv të të drejtave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që banojnë jashtë territorit të Kosovës”, thuhet ndër tjerash në vendimin e PZAP.

Krijimi i këtyre “hapësirave shtesë” për të votuar jashtë vendit, Instituti i Kosovës për Drejtësi konsideroi se “rrezikon integritetin e procesit zgjedhor dhe hap mundësi për keqpërdorime”.

“Ligji në asnjë mënyrë nuk parasheh mundësinë që të lejohen hapësira shtesë jashtë përfaqësive diplomatike, e as mundësinë që MPJD të propozoj ndonjë hapësirë tjetër përveç listës së përfaqësive diplomatike, e cila kërkohet nga KQZ”, tha IKD-ja.

Pasi PZAP-ja e ndryshoi atë vendim të KQZ-së, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se në LVV po provohet ndërtimi i një sistemi të vjedhjes së votave.

“Paskan reaguar i madh e i vogël në sektin e Vetëvendosjes. Natyrisht me mashtrim, pa fakte, me propagandë – siç dinë vet ata. Mashtrimi u është bërë mendësi sot. E vërteta është se që nga caktimi i datës së zgjedhjeve, e deri më sot, po provohet nga Vetëvendosja në çdo mënyrë të ndërtohet një sistem i manipulimit të votave. I vjedhjes së tyre për ta thënë thjeshtë”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.

Ai tha se LVV u përpoq të ndërtojë proces votimi në “depo mallrash, salla dasmash e restorante”, ku “nuk ka kontroll, nuk ka monitorim”.

Pati një vrull reagimesh nga zyrtarë të LVV-së për vendimin e PZAP. Mes tyre, Hekuran Murati, tha se LDK-ja ishte “kundër diasporës”. Ditë më pas, erdhi me një shembull, sipas tij. “Rumania, që është shtet anëtar i BE-së dhe ka diasporë të madhe, në zgjedhjet e sivjeme për postin e presidentit, paska organizuar 965 vendvotime jashtë shtetit, për t’ia mundësuar diasporës që t’i kenë sa më afër vendvotimet dhe ta kenë sa më të lehtë për të votuar”, tha ai.

“Është e vërtetë që shumica dërrmuese e vendeve të BE-së mundësojnë ndonjë mënyrë të votimit nga jashtë vendit, ndonëse vetëm një pjesë e lejon votimin fizik”, tha Eugen Cakolli nga koalicioni i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim. Por shtoi se “secili prej këtyre vendeve e ka rregulluar qartë në ligj se si, ku dhe në çfarë kushtesh organizohet votimi i diasporës. Nuk ka improvizime dhe nuk hapet asnjë qendër pa bazë ligjore”.

Ndërkohë, LVV-ja ka nisur fushatën në diasporë. Albin Kurti ishte të dielën në Oslo, ku mbajti një tubim.

Para nisjes zyrtare të fushatës zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, kryetari i LVV-së zgjodhi kryeqytetin e Norvegjisë për të nisur parafushatën jashtë. Me të ishte edhe ambasadorja e Kosovës në atje, Nita Luci, duke shkaktuar disa reagime brenda vendit. Ligji ia ndalon ambasadors përfshierjen në aktivitete të tilla “gjatë periudhës në shërbimin e jashtëm”.

Vlora Çitaku nga PDK-ja tha se LVV-ja po përdor resurset shtetërore për qëllime elektorale.

“Ambasadat nuk janë të VV-së. As të PDK-së. Ambasadat janë të Republikës së Kosovës. Mendësisë abuzive të VV-së do t’i vijë fundi më 28 Dhjetor”.

Deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci ka shkuar në Zvicër. Parafushatën e tij atje e nisi në një diskotekë në Cyrih. Më pas mbajti takime e tubime me mërgimtarë në Winterthur, Lozanë e Gjenevë.

“Sivjet mërgatën nuk ka kush e ndalë drejt marshit për Kosovë me 28 dhjetor. Opozita po bën stila e pengesa, por orteku i mërgatës po bëhet veç më i madh. Ju lutem shperndajeni”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Ndërkohë partia e Albin Kurtit është kujdesur dje që me një video t’ua shpjegojë mërgimtarëve se forma më e mirë e votimit është “ardhja fizikisht në Kosovë”, ndërsa i ka inkurajuar që nëse s’do ta bëjnë këtë, të regjistrohen për të votuar me postë.

Të tjera