Marrëveshja me Mbretërinë e Danimarkës për lëshimin me qira të qelive të burgut të Gjilanit për ekzekutimin e dënimeve, ka hapur rrugën që edhe shtete të tjera t’i drejtohen Kosovës me të njëjtën kërkesë. Këtë e ka zbuluar vetë Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në seancën e së enjtes, ku në rend dite ishte ratifikimi i marrëveshjes me Danimarkën. Por, cilat janë shtetet që kanë provuar të lidhin marrëveshje të njëjtë me Kosovën dhe pse u lidh në radhë të parë marrëveshja me autoritetet daneze?
Pas Danimarkës, interesim për t’i marrë qelitë e burgjeve të Kosovës me qira, kanë shprehur edhe shtete tjera të Bashkimit Evropian.
Në seancën e së enjtes, kur në rend dite ishte ratifikimi i marrëveshjes për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu zbuloi se ka pasur kërkesa të tilla edhe nga shtete të tjera, por se janë refuzuar.
“Sa i përket asaj se a do të ndalet Kosova me këtë marrëveshje, mua më duhet të bëhem e sinqertë. Pas kësaj marrëveshje, ka pasur edhe vende të tjera që kanë kërkuar të bëjmë marrëveshje të njëjta, mirëpo ne nuk kemi pranuar. Ky është qëndrimi i Kosovës tani për tani, sepse konsiderojmë që e kemi këtë”, deklaroi Haxhiu.
Gazeta Express ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë se për cilat shtete foli Haxhiu, por as ata s’kanë pranuar t’i ndajnë këto informacione. Mos zbulimin e tyre e kanë arsyetuar me bashkëpunimin që e kanë me këto shtete.
“Lidhur më këtë, ju njoftojmë se ashtu siç ka deklaruar Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu, ka edhe shtetet të tjera të cilat kanë shprehur interesimin për marrëveshje të natyrës së njëjtë, siç është Marrëveshja me Danimarkën. Marrë parasysh bashkëpunimin që kemi me këto shtete, për hirë të korrektësisë, nuk mund të përmendin emrat e tyre në këtë fazë përveç se të themi që janë anëtare të BE-së”, thuhet në përgjigjet e MD’së për Gazetën Express.
Pse u lidh marrëveshja me Danimarkën?
Kosova dhe Danimarka kanë nënshkruar letër-pëlqimin për dërgimin e 300 të burgosurve nga Danimarka në Kosovë në dhjetor të vitit 2020. Dokumenti është shndërruar në Traktat në prill të vitit 2022.
Ky Traktat parasheh që Danimarka të marrë në shfrytëzim qeli të vetme dhe të përbashkëta në burgun e Gjilanit, derisa Kosova përfiton në këmbim mbi 200 milionë euro.
Traktati ka një kohëzgjatje prej dhjetë vjetësh dhe sipas tij Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka arsyetuar lidhjen e kësaj marrëveshje me marrëdhëniet që ka Kosova me Danimarkën dhe mbështetjen që ky shtet i ka dhënë vendit në procese të ndryshme.
“…që të mos i prishim marrëdhëniet me Mbretërinë e Danimarkës për shkak të mbështetjes që Mbretëria e Danimarkës na ka dhënë në procese të ndryshme, përfshirë këtu edhe Këshillin e Evropës, ku ne pretendojmë që të anëtarësohemi. Kemi konsideruar që është e rëndësishme që ta vazhdojmë, mos ta ndërpresim këtë dakordim që e kishte bërë Qeveria paraprake”, tha Ministrja.
Për këtë Traktat, deputetët nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë ngritur shqetësime në seancën e së enjtes dhe për këtë arsye votimi është shtyrë.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Arben Gashi, tha se lidhur me këtë marrëveshje, sa i përket vizitave të familjarëve të të burgosurve, lirimin me kusht, gjysmë-lirinë dhe se çka do të ndodhë me të burgosurit pas përfundimit të dënimeve.
Ministrja Haxhiu i sqaroi atij se të gjitha këto i ka marrë përsipër Mbretëria e Danimarkës.
“Asnjë prej këtyre personave nuk do të qëndrojnë në Republikën e Kosovës. Ne do t’i transfmerojmë në aeroport dhe pastaj përgjegjësinë e merr Qeveria daneze. Ne nuk kemi pune me vendet e treta, por vetëm me Mbretërinë Daneze. Ata merren me vizitat familjare e të tjerat”, sqaroi atë ditë Haxhiu.
Ndërkohë, deputeti Armend Zemaj, foli për shumën që është paraparë për renovimin e objektit korrektues në Gjilan, sipas rekomandimeve daneze.
“Pse duhet nga buxheti i Kosovës të financojmë për renovimin’, pyeti ndër të tjera Zemaj.
Haxhiu tha se këtë shumë, Danimarka do t’ia kthej sërish buxhetit të Kosovës.
“Është e vërtetë që për renovimin e burgut të Gjilanit do të shkojnë deri në 5 milionë euro. Këto pastaj Danimarka do t’i thej në buxhetin e Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
E deputeti tjetër i LDK’së, Driton Selmanaj, pyeti nëse kjo do të jetë marrëveshja e fundit e tillë që bën Kosova. Aty Ministrja Haxhiu e pranoi se kanë pranuar kërkesa për marrëveshje të tilla edhe nga shtetet tjera, por se i kanë refuzuar.
Ndryshe, në projekt-buxhetin për vitin 2024, te investimet kapitale renditen edhe ato në Qendrën e Paraburgimit të Gjilanit, sipas marrëveshjes me Danimarkën, për dhënien në shfrytëzim të qelive.
Për vitin 2024, janë ndarë 1 milion e 400 mijë euro për renovimin e objekteve të kësaj qendre, sipas rekomandimeve të shtetit danez. Ky projekt në total pritet të kushtojë 2.4 milionë euro. 600 mijë euro janë ndarë për furnizimin dhe instalimin me pajisje për ngritjen e sistemit të sigurisë, si dhe 750 mijë euro për funksionalizimin dhe instalimin me pajisje të IT në këtë qendër, sipas rekomandimeve të shtetit danez.