Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffery Hovenier, duke folur sot për draft statutin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ka thënë se përmbush të gjitha kriteret që i parashohin Shtetet e Bashkuara për të.
Hovenier ka thënë para mediave se, megjithatë, fjalën e fundit për këtë draft duhet ta japë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe një prej dispozitave të draftit është se ai do të analizohet nga kjo gjykatë.
Por për Hovenierin “e gjithë histeria lidhur me kushtetutshmërinë, nuk na duket me vend, sepse është bërë punë me kujdes në hartim të draftit”.
I pyetur pse drafti nuk është bërë publik, ai ka thënë se nuk ka asgjë sekrete, mirëpo këto janë vetëm çështje diplomatike në të mirë të procesit.
“Jam habitur me numrin e njerëzve që e kanë interpretuar një draft-statut që nuk e kanë parë. Është trik goxha mbresëlënës. Në fund të ditës, ata që nuk e kanë parë dokumentin, nuk kanë shumë bazë të komentojnë mbi të”./Botapress.info/