Specialisti në fushën e menaxhimit të konfliktit dhe një nga vëzhguesit më të njohur të zhvillimeve politike në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, ka thënë se ambiciet e hapura politike të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të kontrolluar serbët jashtë territorit të Serbisë, përbëjnë kërcënimin më të madh për rajonin.
Eksperti i sigurisë ushtarake: Do ta shohim reprizën e 24 shtatorit
Në një prononcim për portalin malazez “Antena M”, profesori amerikan ka theksuar se këtë e ka dëshmuar edhe sulmi terrorist i paramilitarëve serbë më 24 shtator në fshatin Banjë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – një kryengritje e armatosur, qëllimi parësor i së cilës ka qenë aneksimi i veriut të Kosovës sipas modelit të Rusisë në Ukrainë.
“Unë mendoj se ambiciet e tij, të mbështetura nga Rusia, janë kërcënimi më i madh për paqen dhe stabilitetin në rajon. Historia nuk përsëritet, por ajo rimon. Dyshoj se rajoni do të shkojë në një luftë për tre vjet e gjysmë, siç ishte në Bosnjë-Hercegovinë në vitet 1990, por sigurisht që mund të shohim paqëndrueshmëri serioze”, ka thënë Serweri, transmeton AlbanianPost.
E duke komentuar zhvillimet politike në Mal të Zi, profesori amerikan ka thënë se ekzekutivi i ri malazez në krye me Millojko Spajiq është i gatshëm t’u shërbejë interesave serbe dhe ruse, sepse sipas tij, në qeverisje është përfshirë edhe një koalicion politik që nuk përfaqëson vlerat perëndimore dhe është armiqësore kundrejt pavarësisë së Kosovës.