Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani thotë se e ka dëgjuar në frëngjisht se si presidenti i Francës, Emmanuel Macron sot “e bëri të qartë vendimin e vendit të tij për pezullim” të liberlizimit të vizave për Kosovën.
Hasani i tha Expressit se sqarimi i Presidencës franceze flet për një “tërheqje të lehtë”. Ai thotë se ka mundësi që Macron “ka korrigjuar qëndrimin fillestar sepse dëshiron të koordinohet” me pesëshen e diplomatëve që pritet të vijnë këtë javë në Prishtinë për bisedime me kryeministrin Albin Kurti. Por nëse Franca e ndjek rrugën e pezullimit të liberalizimit të vizave, Hasani është i sigurt se “do të ndiqet nga një numër i madh i vendeve të BE-së”.
Pushteti aktual, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund t’i mbijetojë një “pezullimi serioz nga vendet kryesore të BE-së”. Kësisoj, thotë se kryeministri Albin Kurti duhet ta di se “ngelet pa pushtet dhe pa asnjë perspektivë publike” nëse zgjedh “konfrontim total”.
Çfarë pret Franca nga Kosova për ta quajtur çështje te mbyllur lëvizjen tonë pa viza nga 1 janari?
Hasani: Në fillim unë dëgjova “live” në FRANCE 24 atë çfarë tha Presidenti Makron. Ai e bëri të qartë vendimin e vendit të tij për pezullim. Është e drejtë e shtetit për të vendosur një gjë të tillë. Në ndërkohë doli një njoftim nga Presidenca franceze që thotë se ka qenë përkthim shqip, që nuk është e vërtetë sepse ne frëngjisht dimë. Ai ishte i qartë për pezullim. Reagimi i fundit, ndërkaq, len të kuptohet se ka një tërheqje të lehtë, sepse tani sikur flitet për kërcenim nëse nuk veprohet sipas premtimeve të dhëna. Ju e dini se të premten vijnë pesëshja në Prishtinë e Beograd me porosi të qarta. Mund të ndodhë që në ndërkohë zoti Makron ka korrigjuar qëndrimin fillestar sepse dëshiron të koordinohet me ta, se ka marrë sinjale se një qëndrim i tillë është i parakohshëm, se duhet pritur veprim i përbashkët me partnerët dhe kështu me radhë.
Sidoqoftë, qëndrimi francez duhet parë si diçka serioze, tepër serioze, sepse Franca ka peshë jashtëzakonisht të madhe specifike në BE dhe në botë. Nuk prishet BE e as aleatët tjerë me Francën për çështje të Kosovës Fundja, arsyetimi i Presidentit Makron ishte i qartë – moszbatim i premtimeve të dhëna. Kjo është shqetësuese dhe duhet të jetë për ne, sepse nëse del që kanë premtuar diçka dhe nuk e bëjnë, atëherë Kosova dëmtohet dhe ne bashkë me te. Nëse në fund Franca ndjek rrugën e pezullimit të vizave, të jeni të sigurt që nuk do ngelet vetëm dhe do ndiqet nga një numër i madh i vendeve të BE.
A besoni se kryeministri Albin Kurti do ta nisë punën për formimin e Asociacionit apo do të pajtohet me ndonjë pezullim të mundshëm të liberalizimit të vizave?
Hasani: Nëse Franca, siç e thash, vendos përfundimisht për pezullim, ajo do të ndiqet nga të tjerët. Kjo përbën një problem serioz për pushtetin aktual, sepse nuk mund t’i mbijetoj një pezullimi serioz nga vendet kryesore të BE-së. Kryeministri duhet ta di se ngelet pa pushtet dhe pa asnjë perspektivë publik nëse shkon në konfrontim total, ngaqë humb legjitimitetin popullor në mënyrë radikale. Perspektivat e tij për jetë publike shuhen përgjithmonë – nuk merret serioz me as nga votuesit e vet, por as nga pjesa dërrmuese e popullit. Ai ka pranuar një detyrim në Ohër, i mirë i keq, e ka pranuar; ai do të zbatohet nga të tjerët që vinë pas tij, nëse ai nuk e bën; nëse të tjerët e bëjnë, ai do ngelet keq në raport me karrierën e tij politike dhe pushtetin që sot mban.