A do të jetë 2030 viti në të cilin vendet e Ballkanit Perëndimor do ti bashkohen Bashkimit Europian? Kjo ishte pyetja të cilës kancelari gjerman Scholz iu përgjigj në konferencën e përbashkët me kryeministrin Edi Rama dhe me presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen.
Ai tha se në këto 20 vite duhet të ishte bërë diçka më shumë për Ballkanin Perëndimor, ndërsa shtoi se “ëndrra europiane” e këtyre vendeve mund të arrihet vetëm duke punuar fort.
“Mendoj se është një gabim që pasi jemi takuar në Selanik gati 20 vite më parë nuk është bërë diçka më shumë në Ballkanin Perëndimor. Ne duhet të punojmë më shumë, pasi të gjithë kemi të njëjtën pikëpamje.
Ne duhet të punojmë fort për ta arritur këtë, por edhe vendet aspirantë duhet të bëjnë hapat e duhur që ta bëjnë të mundur këtë. Ka një ëndërr europiane në këto vende, por duhet të punoni më shumë. Ju keni pritur shumë, por tashmë është koha që të punojmë të gjithë së bashku”,-tha kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz.
Von der Leyen nga ana tjetër tha se po punohet për raportin që publikohet çdo vit për vendet aspirantë të BE, por i takon kësaj të fundit të vendos. Ajo tha gjithashtu se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bëjnë një zgjedhje të qartë nëse janë me Bashkimin Europian apo me Rusinë, pasi sipas saj, lufta në Ukrainë tashmë ka ndryshuar gjithçka.
“Ne jemi duke punuar për raportin që publikohet çdo vit për vendet aspirantë që do t futen në Bashkimin Europian. Është Bashkimi Europian që do të vendos. Lufta mes Ukrainës dhe Rusisë ndryshoi gjithçka, këto vende tashmë duhet të vendosin nuk mund të jenë më mes Bashkimit Europian dhe Rusisë, duhet të bëjnë një zgjedhje. Gjithashtu duhet të vazhdojnë edhe me reformat e kërkuara. Për mua është e rëndësishme “të bëjmë detyrat” dhe të kapim e të shfrytëzojmë këtë moment historik“,-tha Ursula Von der Leyen.
Von der Leyen dhe kancelari gjerman Olaf Scholz përsëritën qëndrimin e Bashkimit Evropian, duke dënuar sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator
E pyetur nga mediat lidhur me qëndrimin që do të mbajë BE ndaj agresion serb në Veri, Von der Leyen theksoi se BE ka kërkuar një hetim të hollësishëm lidhur me atë që ndodhi në 24 shtator dhe vetëm pas rezultatit të këtyre hetimeve do dalë me një vendim për Serbinë.
Të njëjtën gjë theksoi edhe kancelari gjerman teksa shtoi se sulmi ndaj forcave të policisë së Kosovës është diçka që BE dhe Gjermania nuk e pranojnë.
“Nuk do t’i shtoj shumë asaj që tha Ursula; e dënojmë sulmin ndaj forcave të policisë së Kosovës. Është diçka që nuk do ta pranojmë dhe është e qartë se vendet e BE dhe Gjermania nuk pranojnë një gjë të tillë. Kërkojmë hetime intensive nga autoritetet e Kosovës dhe një bashkëpunim të autoriteteve serbe për këto hetime”, tha Scholz.