Samiti i Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në Tiranë është i dhjeti në serinë e samiteve të tilla dhe i pari në rajonin e Ballkanit Perëndimor, (BP) në një vend jo anëtar të BE.
Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor (BP) i nisur në gusht 2014 si një nismë, ka në themel të tij bashkëpunimin rajonal dhe mbështetjen e vendeve të BP në rrugëtimin e tyre drejt hyrjes në BE. Krahas gjashtë vendeve të BP (Bosnja – Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria) në këtë proces marrin pjesë BE dhe 10 vende anëtare të tij, nën drejtimin e Gjermanisë.
Katër objektivat e Procesit të Berlinit
Këto objektiva të deklaruara që në fillim të këtij procesi mbeten të pandryshuara: zgjidhja e problemeve të brendshme, të hapura dypalëshe mes vendeve të BP, pajtimi mes shoqërive në rajon, përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal dhe së fundi krijimi i një baze për rritjen e qëndrueshme të rajonit.
“Ngritja e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor (RYCO) me seli në Tiranë është një arritje e dukshme drejt plotësimit të këtyre objektivave. Forumi i Investimeve të Dhomave të gjashtë vendeve të BP (WB6 CIF) po bën progres në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive për tregti dhe investime brenda BP,” thotë Emina Muminovic, koordinatore projektesh në Qendrën për Politikë Bashkëkohore, me seli në Beograd.
Por adresimi i problemeve të hapura dypalëshe dhe të brendshme brenda BP, arritja e pajtimit brenda dhe ndërmjet shoqërive të tij mbeten sfida për Procesin e Berlinit.
“Këto çështje vazhdojnë. Ato kërkojnë përpjekje dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme dhe për të nxitur pajtimin në rajon. Rrënjosja thellë e këtyre sfidave në të kaluarën kërkon përkushtim të vazhdueshëm dhe qasje bashkëpunuese për të arritur rezultatet e dëshiruara”, thotë Muminovic për DW.
Pritshmëri nga Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë
“Pritshmëria kryesore është ripërtëritja e premtimit, se Ballkani Perëndimor është me të vërtetë pjesë e Evropës. Premtimi i BE, 20 vjet më parë, në Samitin e Selanikut, se e ardhmja e BP është në BE është i paplotësuar. Koha po mbaron. Të rinjtë, që lindën njëzet vjet më parë, janë dëshmitarë të premtimeve të pambajtura. Ky proces i stërzgjatur ka lodhur qytetarët e BP. Presim progres real në Samitin e Tiranës për të rikthyer shpresën e njerëzve dhe treguar që jemi në rrugën për t’u bërë pjesë e Evropës”, thotë Muminovic.
Ajo thekson se “adresimi i sfidave urgjente si ikja e trurit nga rajoni, ndotja e ajrit, siguria energjetike dhe tranzicioni i gjelbër” janë pritshmëri të tjera kryesore nga Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë.
Rigjallërim i Procesit të Berlinit në sfond tensionesh të reja
Tensionet e kohëve të fundit në veri të Kosovës mund të kenë ndikim në rezultatet e pritshme nga samiti në Tiranë i këtij Procesi. Ҫfarë duhet bërë për të adresuar këtë situatë?
“Samiti në Tiranë duhet të ofrojë një platformë për adresimin e tensioneve në fjalë ku të theksohet domosdoshmëria që Beogradi dhe Prishtina të angazhohen në dialog konstruktiv. Objektivi gjitëpërfshirës i Procesit të Berlinit mbetet promovimi i bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal. Shpresoj që të gjitha palët e përfshira ta kenë në vëmendje këtë parim themelor. Çdo samit i Procesit të Berlinit ka theksuar vazhdimisht rëndësinë e bashkëpunimit rajonal. Kosova dhe Serbia kanë një aspiratë kolektive të përbashkët: të shkojnë përtej së kaluarës, për të reformuar kombet e tyre dhe krijuar një mjedis ku fëmijët e tyre mund të realizojnë aspiratat e tyre pa emigruar,” përfundon Muminovic.