Kosova është ende nën masa ndëshkuese (eufemizëm për sanksione) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, prej refuzimit të qeverisë kosovare për të përfillur deklaratën e 3 qershorit të BE-së për të shtensionuar situatën në veri pas instalimit të kryetarëve shqiptarë legalë (ndonëse jolegjitimë) në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, por Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pretendon se kjo “ishte veç një episodë keqkuptimi” me aleatët perëndimorë të vendit; “keqkuptim” ky i cili ajo beson se “është tejkaluar me sukses”. Kështu ka pretenduar Osmani në një intervistë me median gjermane “Die Welt”.
Tash, sipas Osmanit, ndonëse sanksionet vazhdojnë të jenë në vend, situata ëshët tjetër pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit. Thotë se Kosova është “në unison të plotë” me Perëndimin “për të ndaluar sjelljet destabilizuese të Serbisë”.
“Kjo ishte një epizodë keqkuptimi që kishim me partnerët perëndimorë dhe që e kemi tejkaluar me sukses. Sot qëndrojmë në unison të plotë me sjelljet destabilizues të Serbisë”, ka thënë Vjosa Osmani.
Hiç më larg se sot, Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, kërkoi nga partnerët perëndimor që të heqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës, gjë që dëshmon saktësisht të kundërtën çka pretendon se Osmani se kjo që ajo e quan “epizodë keqkuptimi” i sanksionimit “është tejkaluar me sukses”.
Osmani në intervistën e saj me “Welt” tha se sulmi i paramilitarëve serbë i 24 shtatorit ishte “absolutisht” nën urdhëra të Beogradit zyrtar dhe se Serbia “duhet të jap përgegjësi për agresionin ndaj Kosovës”.
Sepse përndryshe, u shpreh Osmani, nga mosndëshkimi i Serbisë ata mund të eskalojnë ditë e më shumë situatën; dhe atë madje “në një shkallë shumë më të madhe se sa suëmi që tashmë e kemi parandaluar”.
“Pa aparatin shtetëror serb, ata kurrë nuk do të kishin akses në armët ushtarake që i konfiskuam. Burrat u trajnuan në bazat ushtarake serbe nën koordinimin e ministrit serb të Mbrojtjes. Krahas kësaj, sipas qeverisë amerikane, Serbia ka rritur në një masë të paprecedentë praninë e forcave të saj të armatosura në kufirin me Kosovën. Kjo tregon se serbët synojnë përshkallëzimin e mëtejshëm. Dhe se synimi i tyre është ende të pushtojnë pjesë të Kosovës”, ka thënë ajo
Vjosa Osmani tha se Serbia “ka nevojë” për një Willy Brand, “një dikënd që është i gatshëm të pranojë krimet dhe i cili gjunjëzohet para memorialeve të viktiave dhe kërkon falje”.
Pyetur nga Welt se duke qenë se Beogradi ka përmirësuar marrëdhëniet me ShBA-në dhe BE-në dhe nuk ka interes të konfrontohet me NATO-n pse paska rrezikuar Beogradi, Osmani tha se “mos prini racionalitet nga lidershipi serb” teksa u thirr në atë se Vuçiqi ka qenë ministër informacioni i Sllobodan Millosheviqit.
“Kjo është një pyetje që do t’u bëni njerëzve racionalë. Por ne nuk presim ndonjë racionalitet nga lidershipi serb. Ju kujtoj se presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka qenë dikur ministër i propagandës në kohën e Sllobodan Millosheviqit. Dhe sot ai thotë gjëra të tilla si: ‘Mund të na vrasësh të gjithëve. Ne kurrë nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës’”.
“Kjo është një thirrje zgjimi për të gjithë ata që besuan se Vuçiq mund të sillte paqe. Dikush që pranon gjenocidin nuk mund të jetë paqebërës. Serbisë i duhet një Willy Brandt. Dikush që është i gatshëm të pranojë krimet, që do të gjunjëzohet para memorialeve të viktimave dhe do të kërkojë falje”, ka thënë ajo.