Kryeministri i Kosovës ka pritur të martën në takim ambasadorin britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, takim ky në të cilin Kurti ka thënë se armatimi i ekspozuar nga Manastiri i Banjskës dhe përreth tij tregon që ka qenë në pyetje një skenar për gjakderdhje në Kosovë.
Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se Kurti e ka njoftuar Abbottin lidhur me veprimet e fundit të institucioneve të sigurisë, si dhe angazhimin e tyre për garantimin e integritetit territorial, sigurisë, ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë.
“Armatimi i ekspozuar tregon që ka qenë në pyetje një skenar për shumë më tepër të vrarë dhe gjakderdhje në Kosovë, skenar ky që fatmirësisht është parandaluar falë profesionalizmit të Policisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas njoftimit, Kurti ka thënë se nevojitet bashkëpunim i shtuar vendor dhe ndërkombëtar për ruajtjen, mbrojtjen dhe kontrollin e kufirit.
“Ambasadori Abbott shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët e të ndjerit Bunjaku, dhe gjithë qytetarëve të Kosovës, teksa e dënoi sulmin kriminel e terrorist të 24 shtatorit. Ai vlerësoi menaxhimin e situatës nga Qeveria e Kosovës, Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore për profesionalizmin dhe maturinë e shfaqur”, thuhet më tej në njoftim.