Përfshirja e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq, me grupin terrorist, i cili të dielën ka sulmuar Republikën e Kosovës, ka nxitur reagime të ndryshme në vend. Kjo ka bërë që të kërkohet që Lista Serbe, subjekti politik që në Kuvendin e Kosovës ka dhjetë deputetë, të shpallet subjekt jokushtetuese.
I pari që ka kërkuar një gjë të tillë ka qenë zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli.
Ai ka bërë me dije se një gjë e tillë mund të vije në shprehje nëse Prokuroria Speciale e Kosovës ngrit aktakuzë ndaj Radojçiqit për përfshirje të tij në veprimtari terroriste.
“Ekziston dyshimi serioz dhe i provuar që në krye të terroristeve të Banjskës qëndron nënkryetari i Listës Srpska, famkeqi Radojçic. Në bazë të këtyre indicieve dhe provave ligjore, Prokuroria Speciale e me ngritjen e aktakuzave për përfshirje të tij në veprimtari terroriste – e legjitimon arsyen që kjo parti djallëzore e Beogradit – të shpallet jokushtetuese dhe t’i ndalohet çfarëdo veprimi dhe organizimi politik në Kosovë”, ka shkruar Qorrolli.
Sipas tij, Lista Serbe po qëndron mbrapa këtyre sulmeve.
“Terrorizmi nuk është organizim sall individual, në këtë rast Lista Srpska qëndron mbrapa terë organizimit të sulmeve fashiste ndaj Policisë së Kosovës në mëngjesin e 24 shtatorit dhe është përgjegjese për vrasjen e, tashmë Heroit të Kosovës, rreshter Afrim Bunjakut”, ka shkruar ai.
Edhe analisti politik Imer Mushkolaj ka thënë se ky subjekt politik duhet të shpallet i jashtëligjshëm në Kosovë.
“Lista Serbe duhet të shpallet e jashtëligjshme. Nuk është parti, është formacion parapolitik e paramilitar”, ka shkruar Mushkolaj në profilin e tij në “Facebook”.
Ndryshe mendon, drejtori i Institut të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, Miftaraj ka thënë se një sistem demokratik është vështirë të bëhet një gjë e tillë.
Sipas tij, nëse një parti nuk e ka në program veprimtarin terroriste, nuk mund të shpallet jokushtetuese.
“Në një shtet demokratik nuk shpallen parti politike kundër kushtetuese edhe nëse kryetari ose nënkryetari kryejnë vepra tilla penale. Nëse partia se ka ne program veprimtarinë terroriste nuk shpallet”, ka thënë Miftaraj.
Një ditë më parë, drejtori i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha, ka thënë se dyshohet se nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq, ka qenë pjesë e sulmit terrorit.
“Një nga automjetet G-class, me targa BG 1107YY është gjetë një dokument i aplikimit të lejës për armë të personit Milan Radojiçiq, njëherit nënkryetar i Listës Serbe. I njejti është i dyshuar për përfshirje në disa vepra penale në Republikën e Kosovës. Dokumenti është i lëshuar nga autoritette serbe duke ngritur dyshimin e fuqishëm se në mesin e personave të armatosur e uniformuar ka qenë edhe vetë Milan Radojiçiq.”, ka thënë Hoxha në një konferencë për medie.
Lista Serbe mbron terroristët
Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, ndaj ngjarjeve në veri ka reaguar vetëm 24 orë më pas.
Në reagim e saj, ky subjekt politik nuk është distancuar nga terroristët, të cilët vranë një polic të Kosovës dhe plagosen një tjetër.
“Do të kërkojmë hetim për vrasjen e së paku dy serbëve të vrarë gjakftohtë edhe pse janë dorëzuar. E pyesim bashkësinë ndërkombëtare pse EULEX-i nuk mori pjesë në operacion, por vetëm policia e Kurtit?”, është thënë në reagimin e Lista Serbe.
Ndër të tjera, Lista Serbe ka kërkuar që në veri të ketë prezencë të EULEX-it dhe KFOR-it.
“Prej më shumë se një viti ne paralajmërojmë se regjimi në Prishtinë po ushtron presion mbi serbët dhe çdo ditë po përshkallëzon situatën dhe po provokon reagimin e popullit. Të panumërta janë herat që kërkuam nga KFOR-i që të ngrejë forcat e veta dhe të veprojë në mënyrë parandaluese, kërkuam nga bashkësia ndërkombëtare që ta frenonte Kurtin, gjithmonë bënim thirrje për paqe… por më kot. Fatkeqësisht, ndodhi ajo që dëshiroi Kurti”, ka shkruar Lista Serbe.