Sot, punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës do të nisin grevën njëorëshe. Kjo për shkak të mosalokimit të buxhetit të transmetuesit publik, çka ka lënë pa paga që 16 ditë punëtorët e RTK-së.
Sindikata e Radios, gjatë ditës, ka bërë thirrje që të mblidhet kryesia e Kuvendit e të caktohet një seancë e jashtëzakonshme për transmetuesin publik.
Edhe pse puna e prodhimi po vazhdojnë, punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës kanë hyrë në ditën e 16-të pa paga. Pas protestave të organizuara, nga e hëna stafi i televizionit do të hyjë në grevë njëorëshe nga ora 11:00.
“Kemi njerëz që udhëtojnë prej qyteteve të ndryshme të Kosovës, të cilët nuk mund të vijnë për ta kryer punën e tyre për shkak të mungesës së financave dhe mungesës së pagave. Kemi njerëz të cilët, fatkeqësisht, kanë telashe shëndetësore, dhe sëmundja nuk të pyet a ke pagë, a ke Kuvend. Duhet të gjejnë para kudo për të siguruar barnat. Nuk ka asnjë lëvizje për alokim të mjeteve për RTK-në, rrjedhimisht ne si punonjës të RTK-së kemi mbetur në gjendje shumë të rëndë dhe pa përkujdesje institucionale. RTK e ka Kuvendin për pronar. Partitë politike ndoshta duhet t’i shtojnë përpjekjet”, tha Gëzim Bimbashi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së.
Përfaqësues të punonjësve të RTK-së thonë se gjendja e krijuar po rëndon mirëqenien e punëtorëve, për çka kërkojnë nga institucionet që sa më shpejt të bëjnë një zgjidhje.
“Kjo gjendje, për Sindikatën e Pavarur të RTK-së, është e papranueshme dhe ne po marrim të gjithë hapat sindikalë për të realizuar kërkesën tonë të vetme, e cila është transferimi i buxhetit të RTK-së, rrjedhimisht edhe i pagave të punëtorëve. Përveç protestave, nuk përjashtohen grevat apo hapa të tjerë,” tha Driton Beqiri, anëtar i Sindikatës së Pavarur të RTK-së.
E nga Sindikata e Radio Kosovës kanë kërkuar që urgjentisht të mblidhet kryesia e Kuvendit dhe të caktohet një seancë e jashtëzakonshme për transmetuesin.
“Kemi bërë protesta dhe do të vazhdojmë sërish të protestojmë, mirëpo unë i bëj thirrje kryetarit të Kuvendit që të thërrasë një seancë urgjente, fillimisht të thërrasë mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe pastaj të caktojë një seancë urgjente me të vetmen pikë të rendit të ditës, e cila është buxheti i RTK-së,” tha Pajazit Krasniqi, kryetar i Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës.
Drejtori i Televizionit të RTK-së, Rilind Gërvalla, u ka dërguar letër zyrtare Qeverisë e Kuvendit për të kërkuar alokimin e mjeteve të nevojshme për funksionimin e RTK-së.
Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani u ka bërë thirrje grupeve parlamentare që të formojnë urgjentisht komisionet e përhershme për ta siguruar buxhetin për transmetuesin publik.



Të tjera
Uncategorized
REL: Sharje për vota – programet mbeten në hije
Termat ofendues dhe denigrues, si “hajvan”,
Uncategorized
Dogana zbulon barna të paligjshme në Prishtinë, sekuestron sasi të konsiderueshme
Zyrtarët doganorë, gjatë një kontrolli të
Uncategorized
Rukiqi godet pushtetin e Kurtit: Po blejnë energji elektrike që origjinën e ka në Serbi
Zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, në