Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga paraburgimi ish-kryeshefin e KEK-ut të akuzuar për korrupsion, Nagip Krasniqin.
Lajmin e ka konfirmuar, Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Gjini: Ka ministra të Kurtit që po i lutin ndërkombëtarët për me iu gjet vende të punës
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar në çështjen penale kundër të pandehurit N.K, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka vendosur lidhur me masën kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës”.
Sipas vendimit të Gjykatës, Krasniqit i ndalohet të afrohet objektit të KEK-ut apo të punësuarve në këtë korporatë. Vendimi thotë se i njëjti duhet të mbajë 50 metra distancë.
“Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit N.K i është ndërprerë dhe ndaj të njëjtit gjykata ka caktuar masën e ndalimit për t’ju afruar vendit apo personit të caktuar në afërsi prej 50 m, në objektin e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe personave të punësuar në këtë korporatë.”
Ndryshe, Krasniqi është arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.
Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”.
Ndërsa, më 20 prill, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), paraqiti kërkesë në Themelore, lidhur me caktimin e masës së paraburgimit ndaj Krasniqit. Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata Themelore në Prishtinë, ia kishte caktuar drejtorit të KEK-ut një muaj paraburgim.
Kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, kishte ushtruar ankesë mbrojtja e Krasniqit, me propozim që Gjykata e Apelit ta aprovojë ankesën si të bazuar dhe ta lirojë të pandehurin nga paraburgimi duke i caktuar një masë më të butë.
Ndërsa, më 8 maj 2023, Gjykata e Apelit ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Nagip Krasniqit, duke e lënë të njëjtin nën masën e paraburgimit, me arsyetimin se mund të ndikojë në dëshmitarë.
Po ashtu, kërkesë për lirimin e Krasniqit nga masa paraburgimit, mbrojtja kishte ushtruar edhe në Supreme, mirëpo edhe shkalla e tretë e kishte refuzuar.
Nagip Krasniqi më 25 prill 2023 është pezulluar nga detyra e kryeshefit ekzekutiv të KEK-ut.