Procesi i zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të fillojë këtë vit, përndryshe mund të humbasin disa vite përpjekje.
Kështu deklaroi sot emisari i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, gjatë një takimi me gazetarë të premten.
Reeker tregon atmosferën e dialogut në Bruksel: Pati zëra kundër pranisë amerikane
Lajmi është raportuar sot nga agjencia sllovake e lajmeve, TASR, transmeton Paparaci.
Serbia dhe Kosova zhvilluan të enjten në Bruksel një raund të ri negociatash për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk arritën të kapërcejnë mosmarrëveshjet mes tyre.
Në një intervistë për TASR, diplomati sllovak kujtoi se procesi i normalizimit të marrëdhënieve arriti një “pikë kthese” në shkurt dhe në mars në Ohër, kur të dyja palët ranë dakord mbi dokumentet bazë që çojnë në normalizimin e marrëdhënieve.
“Megjithatë, zbatimi i vërtetë i marrëveshjes nuk ka filluar tash e gjashtë muaj. Të dyja palët kanë një nivel të madh mosbesimi ndaj njëra-tjetrës. Ata thonë më jep atë që meritoj dhe pastaj do të bëj atë që është e nevojshme”, e përshkroi situatën Lajçak.
Ai shtoi se nuk funksionon kështu dhe kjo është arsyeja pse BE-ja paraqiti një propozim prej shtatë pikash që u jep obligime të dyja palëve paralelisht. Për shembull, se Prishtina do të fillojë të zbatojë obligimet për serbët në veri të Kosovës dhe se Serbia gradualisht do të fillojë të përmbushë obligimet e saj.
Sipas Lajçak, propozimi i BE-së është transparent dhe i matshëm, ai mund të ndalet në çdo kohë nëse njëra palë ndalon përmbushjen e detyrimeve të saj.
Ai i cilësoi të vështira negociatat e së enjtes mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.
Kurti e hodhi poshtë propozimin e ri të BE-së, me të cilin u pajtua Vuçiqi.
“Kurti insiston në një dokument që de fakto të fillojë me njohjen e Kosovës nga Serbia dhe vetëm pastaj të bëjë pjesën e saj të punës, që natyrisht nuk është një rrugë realiste përpara”, tha Lajçak.
Ai theksoi do të fillojë një sërë konsultimesh me vendet anëtare të BE-së, Britaninë dhe SHBA-në, për të cilat do të shfrytëzojë edhe seancën e shtatorit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Qëllimi i këtyre konsultimeve është të arrihet në një përgjigje të unifikuar dhe të koordinuar të bashkësisë ndërkombëtare për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Lajçak theksoi se është thelbësore që këtë vit të nisë zbatimi i marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.
“Nëse ato vendime themelore nuk merren deri në fund të vitit, kam frikë se kalendari politik në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara do të jetë i tillë që ta lë këtë axhendë në prapavijë. Jam i bindur se marrëveshja e Ohrit është dokumenti më i mirë. Të dyja palët e pranuan dhe do të ishte turp nëse do të binte në ujë. Në atë rast, më shumë konflikte, përshkallëzimi i sitatës dhe ndoshta më shumë dhunë na pret në veri të Kosovës”, përfundoi ai.