Aksioni i Antidrogës që u zhvillua sot në disa lokacione në Prizren, ka rezultuar me arrestimin e katër personave, të dyshuar për shitblerje të substancave narkotike. Gazeta Sinjali raportoi sot se operacioni u krye në lagjen “Bajram Curri”, ku janë prangosur tashmë personat e dyshuar, në mesin e të cilëve edhe Shkodran Pulaj, ish-kandidati për asamblist i AAK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2021.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se tre personat e tjerë që u prangosën gjatë këtij aksioni janë Xhavahir Koqina, Muharrem Pulaj dhe Flamur Shala, të cilët dyshohen për veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge”.
Katër të dyshuarit u arrestuan mëngjesin e sotëm, pasi Antidroga zbarkoi në Prizren, me ç’rast kanë asistuar disa njësi policore të Policisë në Prizren, si dhe njësia K9.
Detaje nga vrasja që tronditi Prizrenin, ky është 48-vjeçari që u qëllua për vdekje
Muharrem Pulaj dhe Shkodran Pulaj
Gjatë këtij aksioni, Policia ka sekuestruar një sasi të substancave narkotike, si dhe armë e municion, që do të shfrytëzohen si prova lidhur me rastin.
Ndryshe, sipas informacioneve që ka Sinjali, Shkodran Pulaj ka qenë i paprekur nga organet e rendit, përkundër që kanë qenë në dijeni për veprimtarinë e tij.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.