Baton Haxhiu i drejtohet Kushtetueses

Gazetari dhe publicisti kosovar, Baton Haxhiu, përmes një shkrese zyrtare i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës përmes së cilës ka kërkuar shfuqizimin e dispozitës ligjore që lejon një person të votojë deri në dhjetë kandidat për deputetë, shkruan Gazeta Express.

Haxhiu thotë se duhet të rikthehet dispozita e vjetër në të cilën vlen parimi një person një votë dhe ku lejohet vetëm një preferencë politike.

“Si qytetar me të drejtë vote, vota ime nuk ka peshë të barabartë me votat e qytetarëve në zona ku ekziston ndikim territorial ose kapacitet i organizimit lokal.Ky sistem prodhon efektin antikushtetues të shumëzimit të votës, sepse një votues i vetëm, në vend që të ndikojë procesin me 1 votë, e ndikon me minimun 1 + maksimum 10 vota individuale për kandidatë.Kjo bie ndesh me parimin kushtetues dhe universal demokratik një person = një votë.”, ka shkruar Haxhiu në shkresën e tij drejtuar Kushtetueses.

Ai ka kërkuar shpalljen antikushtetuese të dispozitës së Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme që lejon votimin e deri në 10 kandidatëve brenda listës së një partie, shfuqizimin e menjëhershëm të kësaj dispozite dhe urdhërimin ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës për të rikthyer modelin proporcional të barabartë:1 votë për parti maksimum 1 preferencë individuale, në përputhje me standardet evropiane.

“Unë kërkoj vetëm që vota ime të vlejë aq sa vota e çdo qytetari tjetër të Republikës së Kosovës.Nëse vota ime është më pak ose më shumë se e tjetrit, Republika bie.”, thuhet në fjalën përmbyllësë të Haxhiut./Express/

 

 

Të tjera