“Kjo është një metodë e re dhe alternative që të rrisim përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve të Prishtinës në edukim të hershëm, që asnjë fëmijë të mos mbetet mbrapa. Pra, secila familje e Prishtinës, që ka fëmijë të moshës nga 9 muaj deri në 6 vjeç dhe ka të hyrat familjare nën 500 euro, do të përfitojë 70 Euro për të regjistruar fëmijën e tyre në cilëndo çerdhe private të licencuar të Prishtinës”, ka thënë Musmurati në një konferencë për media.
Të gjithë qytetarët mund ta bëjnë aplikimin edhe në sportelin numër 5 në objektin e Komunës së Prishtinës.
“Kategoritë të cilat do të kenë përparësi janë nënat vetëushqyese, fëmijët bonjakë, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët e prindërve të divorcuar, fëmijët e invalidëve të luftës së UÇK-së si dhe fëmijët e veteranëve të luftës së UÇK-së”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Arsim.
Osmani uron fillimin e vitit të ri shkollor: Arsimimi nuk ka të bëjë vetëm me libra dhe teste
Musmurati ka thënë se investimi në edukimin e fëmijërisë së hershme është një mënyrë e mirë për të zvogëluar boshllëqet që shpesh i vendosin fëmijët me status të ulët social dhe ekonomik në disavantazh jetësor.
“Prandaj, ky është një lajm shumë i mirë për prindërit e rinj që jetojnë në Prishtinë sepse sado pak ju lehtëson barrën financiare të edukimit të hershëm për fëmijët e tyre. Si politikë e re, ky subvencionim do të ndihmojë edhe nënat e reja që të hyjnë në tregun e punës sa më parë dhe të rrisin përfshirjen e grave në tregun e punës”, ka thënë ajo.
Sipas saj, me subvencionimin me nga 70 euro në muaj për familjet e Prishtinës, do të rritet përfshirja e fëmijëve në çerdhe dhe edukim të hershëm dhe pjesëmarrja e grave në tregun e punës, si dhe do të lehtësohet barra financiare për shumë familje në Prishtinë.
“Ne kemi ndarë 100,000 Euro për financim të fazës së parë, por varësisht nga numri i aplikimeve do të rrisim edhe buxhetin. Prandaj i bëj thirrje të gjithë prindërve të Prishtinës që të hyrat familjare i kanë nën 500 Euro të aplikojnë në thirrjen e hapur për subvencionim, e cila tanimë është në uebfaqe të Komunës së Prishtinës dhe në rrjetet tona sociale”, ka thënë Musmurati.