Tërësisht e pazakonshme, por e vërtetë.
Mbarë BDI-ja, Bashkimi Demokratik për Integrim, partia më e madhe shqiptare në Maqedoni të Veriut, që është edhe në pushtet atje, do të vizitojë fabrikën Comodita në Gjakovë të shtunën, fabrikë kjo nën pronësi të vëllezërve Devolli.
Në njoftimin për media të BDI-së, s’ke se si të mos ndalesh për një sekond për të përsiatur mbi përmasën e vizitës, dhe të një viziteje të vetme, me një trupë aq të madhe politike.
Jo vizitë me krerët e shtetit, jo vizitë me ndonjë parti politike që ka afinitete qoftë politike, tradicionale apo diçka tjetër, ose; jo në ndonjë komunë për këtë apo atë arsye siç rëndom jepet një vizitë formale dhe zyrtare – por një klasë e tërë politike në një fabrikë.
Nacionalja me të parë këtë komunikatë për media, s’e besoi në rend të parë se është kjo e vetmja vizitë që do ta bëjë BDI-ja, por e mendoi si një nga vizitat. Por, zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, na konfirmoi atë që u tha në komunikatë: “Po, veç në Comodita”.
Tetë zyrtar kyç, siç jepet në komunika, të shtunën janë në Gjakovë.
“Ju njoftojmë se Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, i shoqëruar mga Kryetari i Kuvendit, z. Talat Xhaferi, Zëvendës Kryeministri i parë, z. Artan Grubi, Ministri i Finansave, z. Fatmir Besimi, Ministri i Ekonomisë, z. Kreshnik Bekteshi, Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Jeton Shaqiri, Ministri i Jashtëm, z. Bujar Osmani, dhe shefi i grupit parlamentar, z. Arbër Ademi, ditën e shtunë, me 2 shtator 2023, me fillim në ora 13:00, do të vizitojnë kapacitet prodhuese të fabrikës Comodita në Gjakovë të Republikës së Kosovës”.
Kundërpërgjigje ndaj Kurtit?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kohëve të fundit ka zhvilluar një vizitë tejet kontraverze në Maqedoninë e Veriut; një vizitë e cila në tërësi s’kishte se si të mos lexohej si anim i qartë kah krahu opozitar i shqiptarëve atje – duke shpërfillur në tërësi, përveç autoriteteve shtetërore të Maqedonisë së Veriut, edhe partinë kryesore të shqiptarëve atje, BDI-në e Ali Ahmeti.
Këta të fundit qenë rezervuar në fillim, duke mos e komentuar këtë vizitë rrënjësisht kontraverze të Kurtit, i cili vizitoi Komunën e Çairit dhe të Tetovës, e ku madje pati reagime edhe nga krerët e shtetit si Presidenti Stevo Pendarovski dhe Kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Kurti u takua me opozitarët dhe kundërshtarët politikë të BDI-së: Bilall Kasamin e BESA-s, Afrim Gashin e Alternativa-s dhe Izet Mexhitin e Lëvizjes Demoraktike, kjo e fundit franksion i dalë nga BDI.
Kjo vizitë e Kurtit u pa edhe përbrenda në Kosovë si “përçarje” e shqiptarëve atje, dhe u kritikua gjerësisht edhe nga opozitarët në vend si Ramush Haradinaj.
“Të dashur bashkombas shqiptarë në Maqedoni të Veriut, Mos i besoni mashtruesit Albin Kurti. Në Kosovë i ka bllokuar të gjitha rrugët e projektet, përfshirë edhe rrugën e Plavës. Pasi nuk mund t’i gënjej më kosovarët, paska ardh të ju mashtrojë ju, për rrugën Tetovë – Prizren. Edhe në Shqipëri tentoi njëjtë, por nuk i besuan dhe e përzunë. As ju mos bini pre e mashtrimeve të tij”, pati shkruar Haradinaj.
Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ishte shprehur fillimisht i habitur me vizitën jo-formale të lajmëruar të Kurtit në Maqedoni të Veriut. “Me siguri se nuk vjen si kryeministër”, ishte shprehur ai pyetur për këtë vizitë.
“Nuk kemi informacione zyrtare se vjen. Kështu që, me siguri nuk vjen si kryeministër. Shohim nëpër rrjetet sociale, ndonjë komunikim partiak, kështu që, me të vërtetë nuk kam informacione. Ne jemi shtet i lirë dhe mundet çdo kush të vijë”, pati thënë Bujar Osmani, në një intervistë për telvizionin Sitel.
Zëvendëskryeminstri shqiptar i RMV-së, madje tha se vizita e Kurtit në Tetovë dëmtoi shqiptarët dhe rriti nacionalizmin. Ai gjithashtu tregoi se Kurti nuk njoftoi institucionet në Shkup për vizitën.
“Ndërsa në të gjitha këto momente kur maqedonasit po druhen për identiteti i tyre po shfaqen shqiptarët me kryeministrin e Republikës së Kosovës me flamuj të Shqipërisë së Madhe dhe me mosrespektim të shtetit ku bëhet vizita dhe u interpretua si një tentativë që të hiqet fokusi nga çështja e Bullgarisë dhe të rikthehet nacinalizmi apo kontesti midis shqiptarëve dhe maqedonasve”, tha Grubi, siç e citoi televizioni Klan.
Për më tepër, vizita e BDI-së te “Comodita” vjen mu në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje u ka shpallur “luftë të hapur” Devollëve, më së zëshmi vetë “e pushtetshmja” e VV-së Dejona Mihali, e cila madje u kërkoi edhe të gjithë të punësuarve te Devollët të vetë-largohen nga puna.
“Shërbëtorët e këtyre dy grupimeve sa më shpejtë të largohen prej tyre aq më mirë për vete dhe për vendin. Kosovën e 1001 sakrificave”, pati shkruar shkruar ajo.