Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka njoftuar se ka kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës që të sigurohet se nuk do të ketë abuzime me çmimin e librave.
Nagavci tha se nga Autoriteti i Konkurrencës kanë marr zotimin se do ta monitorojnë me kujdes të shtuar tregun.
“Procesi i shitjes së teksteve shkollore ishte temë diskutimi në një takim që kisha me përfaqësues të Autoritetit të Konkurrencës të kryesuar nga kryetarja e këtij institucioni, znj. Neime Binaku Isufi”, tha Nagavci në Facebook.
“Si Ministre e Arsimit, kërkova që në kuadër të kompetencave, ky institucion të sigurohet që të mos ketë abuzim me çmimet e teksteve shkollore të cilat këtë vit do të blihen nga prindërit me mjetet që do të ndahen nga Qeveria”.
Ajo tutje tha se gjatë këtij takimi ka marrë zotimin se Autoriteti i Konkurrrencës do të monitorojë me kujdes të shtuar tregun, përkatësisht procesin e shitblerjes së teksteve shkollore, sipas kompetencave ligjore.
“Në rast të evidentimit të ndonjë veprimi që bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, Autoriteti do të na vë në dijeni për procedurat e mëtutjeshme ligjore”, tha Nagavci.