Procesi i numërimit të votave në Mitrovicën e Jugut është ndërprerë pas dyshimeve për parregullsi në disa fletëvotime. Dyshimet nisën pas raportimeve publike, përfshirë edhe denoncimin e deputetit të PDK-së Artan Behrami, i cili tha se në disa vendvotime janë gjetur fletëvotime me numra serikë të çrregullt.
Pas këtyre raportimeve, Prokuroria Themelore dhe Policia e Kosovës kanë shkuar në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, duke urdhëruar pezullimin e përkohshëm të procesit. Sipas Prokurorisë, kjo masë është marrë për të shmangur çdo dilemë deri në sqarimin nga kompania që ka shtypur fletëvotimet, nëse bëhet fjalë për një gabim teknik apo për manipulim të qëllimshëm.
Në vendin e ngjarjes është parë edhe prania e njësive speciale të Policisë, ndërsa kutitë me fletëvotime të dyshuara janë ndarë në një rresht të veçantë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar më vonë se në disa dengje të fletëvotimeve është vërejtur një gabim teknik në kodin e vendvotimit, i cili, sipas kompanisë shtypëse, mund të ketë ndodhur për shkak të defektit të printerit mekanik. KQZ ka theksuar se ky gabim nuk ndikon në integritetin e procesit zgjedhor, pasi të gjitha fletëvotimet përmbajnë elemente sigurie dhe janë të evidentuara saktë.
Hetimet mbi rastin po vazhdojnë nën drejtimin e prokurorit Shpëtim Peci, ndërsa pritet sqarimi zyrtar nga kompania që ka shtypur fletëvotimet për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për gabim teknik apo manipulim.



Të tjera
Lajme
Forcat amerikane pengojnë mbi 70 cisterna nafte të hyjnë dhe të dalin nga portet iraniane
Bllokada e SHBA-së po pengon më
Aktuale
Pse u shty shpallja e aktgjykimit për katërshen e UÇK-së në Speciale?
Teksa disa në Kosovë shprehën pakënaqësi
Aktuale
Mirena akuza Spahiut se po i sulmon njerëzit që po largohen prej Kurtit
Iliri Mirena, i ftuar në Pressing