Muzeu i Muzikës në Gjakovë është përfshirë nga zjarri pasditen e sotme dhe akoma nuk dihen shkaqet se si i është vënë flaka objektit. Prokuroria tashmë ka nisur hetimet, teksa në rrjete sociale ka pasur reagime të shumta e madje edhe akuza.
Një qytetar i Gjakovës ka publikuar pamje teksa muzeu po digjej, duke e përmendur ish kryetaren e kësaj komune, tashmë shefe e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari – Lilën.
“Ma ne fund e kallen, ne meshire te fatit! Mimoza Kusari sa mire qe e bone Taphonen vend per Droge!”, ka shkruar ai.
Ndërsa Behar Arllati, entomuzikolog, ka reaguar ashpër, duke thënë se barbarët “e thyen, e vodhen e plaçkiten gjithe çka kishte brenda, e tjetersuan si objekt, ia hoqen shkallet qe te mos kishte mundesi te ngjitej lart njeri dhe me ne fund, e dogjen barbaret”.
Ai ka thënë se ky veprim e dëshmon që jemi “larg civilizimit europian”, duke shtuar se as në qeverisjen e Mimoza Kusarit e as të Ardian Gjinit nuk janë ndarë paga për mbikëqyrjen e muzeut.
Ndryshe, zëdhënësi i PK-së për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, ka thënë se zjarri është arritur të lokalizohet.
“Njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe Njësia e Zjarrfikësve të cilët kanë arritur të lokalizojnë zjarrin. Përveç dëmeve të konsiderueshme materiale pasoja në njerëz nuk ka pasur”, ka thënë ai.
Elezaj më tej ka thënë se në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast për hetim “Zjarrvënie”.