Behrami ngre dyshime për manipulim votash në Mitrovicë

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka akuzuar pushtetin qendror për manipulim të zgjedhjeve gjatë balotazhit të 9 nëntorit në Mitrovicë të Jugut, duke përdorur atë që ai e quan “tren qeveritar”.

Përmes një postimi në Facebook, Behrami pretendon se në pothuajse çdo klasë të vendvotimeve të mëdha janë gjetur fletëvotime me numra serikë të çrregullt, të cilat sipas tij tregojnë për trafikim të fletëvotimeve dhe një skemë të organizuar nga qeveria.

“Në këto pesë vjetet e fundit, Kurti e ka suspenduar logjikën. Në vend të saj e ka injektuar inatin, përçarjen, urrejtjen në shoqërinë tonë. Zgjedhjet lokale janë reflektim i kësaj urrejtje, i këtij inati që ka ndjellë! Në Mitrovicë, përveç kësaj, Kurti ka shfrytëzuar krejt potencialin shtetëror, grupe të nëntokës, grupe kriminale për të fabrikuar një fitore, e cila ditëve të ardhshme mund të shndërrohet në skandalin më të madh zgjedhor në historinë e Kosovës së pasluftës”, ka shkruar Behrami.

Sipas tij, procesi i numërimit tregon se nuk ka pasur “tren bullgar”, por një tren qeveritar të organizuar nga institucionet shtetërore.

“Pra një fabrikim shtetëror, jo individual, apo i udhëhequr vetëm nga grupe kriminale. Në pothuajse çdo klasë nëpër vendvotime të mëdha janë gjetur fletëvotime me numra serikë të çrregullt nëpër klasa – një shenjë e qartë e trafikimit të fletëvotimeve dhe të asaj që quhet treni bullgar. Madje, janë gjetur edhe fletëvotime të njërës klasë në tjetren”, ka shtuar ai.

Behrami ka bërë thirrje që vëzhguesit ndërkombëtarë dhe organizatat joqeveritare të monitorojnë procesin e numërimit në QNR në Mitrovicë, duke e quajtur fenomenin “të frikshëm dhe masiv”.

“Masiviteti i këtij fenomeni është i frikshëm dhe një shenjë e qartë po ashtu që këtu nuk bëhet fjalë për individ, por për një sistem të organizuar nga institucionet e okupuara. Ftoj vëzhgues ndërkombëtarë, ftoj vëzhgues nga organizatat joqeveritare, ftoj mediat që 24 orë të monitorojnë numërimin në QNR në Mitrovicë. Krimi zgjedhor në Mitrovicë do të ekspozohet i plotë, ashtu siç ka qenë”, ka theksuar ai.

Të tjera