Unioni njëzet e shtatë shtetësh evropian e ka sanksionuar Kosovën për tashmë më shumë se dy muaj rreth kursit të ndjekur në veri dhe për mosgatishmërinë për të përfillur planin tre-pikësh për shtensionim siç e patën artikuluar përmes një kërkese botërisht të njohur më 3 qershor. Përveç BE-së si bllok shetesh, brenda këtij formacioni politik Gjermania edhe më vete e ka ndëshkuar Kosovën me masa të saj. Hiç më larg se sot, Franca, ndonëse pjesëmarëse në sanksionet kolektive ndaj Kosovës, i ra borisë së paralajmërimit për ndëshkim të palëve, e ku për çudi të shumëkujt, përmendi se “mund të rishikohet” edhe çështja e liberalizimit të vizave. Çështje kjo që gëzon pritshmëritë më të mëdha në mesin e qytetarëve të Kosovës të cilët me vite presin lëvizje të lirë e pa regjim vizash. Ky proces kaherë Francën e ka pasur penguesen, kushtëzuesen dhe skeptiken më të madhe. Parlajmërimi për të njëjtën ishte edhe për Serbinë.
Duke folur para ambasadorëve, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, u shpreh se prej që “paqja të kthehet” në pjesën veriore të Kosovës, ku kërkoi që “palët të sillen me përgjegjësi” në kontributin e tyre për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Zgjedhjet në katër komunat veriore me pjesëmarrje të serbëve, ishin pika kryesore që Macron e theksoi, bashkërisht me zbatimin e planit franko-gjerman të konkretizuar në marrëveshje ndërkombëtare për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Macron.
Në pikun më të lartë të tensioneve në veriun e Kosovës në rastin e instalimit me njësi speciale të tre kryetarëve në tre komunat veriore të banuara me shumicë serbe, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kishte kërkuar kategorikisht, bashkërisht me kancelarin gjerman federal që të shpalleshin zgjedhjet e reja.
Më 1 qershor, ku liderët evropianë ishin mbledhur në Molldavi, Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, s’e kishte ftuar kush të bisedonte për çka-si-pse situata ishte siç ishte, por e kishin takuar Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e mëpastaj Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin, ndonëse kjo e fundit nuk ka pushtet ekzekutiv dhe s’mund të diktojë politika qeverisëse.
Vuçiq në njoftimin e tij për takimin me Macron pati njoftuar se ky i fundit e kishte “kuptuar” qëndrimin e Beogradit ndaj ngjarjeve në Serbi dhe se e kishte “mbështetur”.
“E falënderova Presidentin Macron për qëndrimin dhe mbështetjen e fortë që i dha Serbisë rreth ngjarjeve të fundit në Kosovë. I shpreha shqetësimin për përshkallëzimin e fundit të dhunës në Kosovë, si dhe bisedova për hapat e mëtejmë në mirëmbajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, kishte shkruar Vuçiq në Instagram.
Vuçiq nga ai Samit i Komunitetit Evropian pretendonte se po largohej së paku “në rehati” ngase pretendonte se “tashmë të gjithë e kanë pikturën e qartë për ngjarjet në veri” ku barrën e fajësisë ia peshonte qeverisë kosovare.
Macron dhe Scholz e ftuan Osmanin dhe jo Kurtin për takim në Kishinau, dhe kjo u lexua gjerësisht si “izolimi i parë diplomatik” ndaj Kurtit, pas kursit të tij të pandryshueshëm për ngjarjet në veri. Por, njëjtë si Kurti, ajo e frazoi “nevojën për zgjedhje në veri” duke i qëndruar thirrjes së kancelarit federal gjerman dhe presidentit francez.
“Ka qenë kërkesë e qartë e Gjermanisë dhe Francës që kurdo që organizohen zgjedhjet e reja të ketë participim, që të mos iu ndalohet serbëve që të participojnë. Brenda ligjeve tona, brenda kushtetutës tonë, ekziston mundësia që të ketë zgjedhje të reja”, pati deklaruar Osmani.
Një mesazh tjetër i “ashpër” i Macron-it për Kurtin
Gazeta prestigjioze britanike “Financial Times” në një artikull kushtuar Marrëveshjes për Normalizim të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë muaj më parë, transmetoi edhe një mesazh të padëgjuar deri atë ditë brenda negociatave. Një zyrtar i BE’së i tha FT-së se gjatë kohës sa po bëheshin përpjekje intenzive për të kryer një marrëveshje mes palëve, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i kishte dhënë edhe një mesazh të ashpër të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit.
“Prej gushtit të kaluar (2022) e deri në janar, ne bëmë presion të barabartë te të dyja palët, masë pas nase, pikë pas pike”, tha zyrtari evropian. “Secila palë mori pak dhe dha pak. Ne provonim të kënaqnim secilën palë”.
“Në një moment (presidenti francez) Macroni i dha një mesazh (hard) të rëndë Kurtit: ‘duhet ta bësh këtë gjë prioritet nëse do që gjërat të shkojnë përpara’, shton zyrtari. Ai po ashtu i tha atij që Kosova nuk duhej të vazhdonte të kthehej mbrapa apo të ndryshonte pozicionet e saj”, ka thënë zyrtari i lartë i BE-së.
Kthim prapa në kohë…
Ishte gushti i vitit të kaluar kur ende nuk ishte “shfaqur” ajo që asokohe u emërua për plan-propozim franko-gjerman. Kurti kishte paraqitur tashmë një “Kornizë të Përgjithshme” në Bruksel, të cilën Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq nuk e kishte pranuar.
Një letër e përbashkët nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Kancelari Federal i Gjermanis, Olaf Scholz, u ishte dërguar edhe Kurtit dhe Vuçiqit. Në këtë letër ata njoftuan për herë të parë se kishin emëruar dy top-këshilltarët e tyre për politikë të jashtme për t’iu bashkuar Përfaqësuesit Special të BE’së për Dialogun Kosovë-Serbi.
“Po ju adresohemi juve si lider i vendit tuaj në mënyrë që t’ju bëjmë thirrje për të treguar vendosmëri dhe gatishmëri maksimale për të marrë vendime të vështira për të bërë përparim në dialogun e udhëhequr nga BE’ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tensionet në kohët e fundit kanë treguar se nevojiten urgjentisht hapa konstruktivë, edhe në nivelin praktik edhe atë politik. Prandaj edhe kemi angazhuar Këshilltarët tanë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Z. Jens Plotner dhe Z. Emmanuel Bonne, që drejtëpërsëdrejti të mbështesin Miroslav Lajçakun në përpjekjet e tij”, shkruhej në letrën e Macron dhe Scholz.
Por, pjesa e parë bënte të qartë se kjo nuk ishte thjesht çështje e Kosovës dhe Serbisë, të cilët gjithsesi duhej “të normalizojnë plotësisht marrëdhënit si gjë e rëndësisë kyçe”, por letra thoshte edhe më shumë. Siguria e kontinentit evropian, ishte lajtmotivi në kërkesën e tyre.
“Këtë letër po ua nisim ju në një kohë kyçe edhe për sigurinë e kontinentit evropian edhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor”.
Menjëherë pas kësaj letre, dy top-këshilltarët nga Parisi dhe Berlini kishin zbarkuar në Prishtinë dhe Beograd, ku edhe shënohet nisja e inicativës franko-gjermane, e cila në ndërkohë do të kulmonte në një marrëveshje të formës “merre ose lëre” për palët, gjë që e kanë thënë publikisht edhe Kurti edhe Vuçiq.
Më 10 nëntor të vitit të kaluar në Paris, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkërisht me presidenten kosovare, Vjosa Osmani, ishin takuar me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, nga ku patën deklaruar përmes një komunikate të përbashkët për media se “Propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë Serbi]”.
Letra e dytë e Macron-Scholz-Meloni
Tashmë po afrohej takimi i shumëpritur i 27 shkurtit kur palët pritej që me doemos të pranonin planin franko-gjerman e që tash do të quhej Marrëveshja për Rrugën për Normalizim të Marrëdhënieve. Pak para letrës ishte mbajtur edhe Konferenca e Sigurisë në Mynih, ku edhe Kurti edhe Vuçiq ishin takuar me Scholz dhe Macron. Ndonëse nuk është bërë e ditur se çfarë është thënë në ato takime, Miroslav Lajçak, kishte dhënë disa detaje duke folur për median serbe në ShBA, “The Pavlovic Today”. Olaf Scholz dhe Emmanuel Macron, bëri të ditur ai, ua kishin artikuluar “shumë qartë” pritshmëritë e tyre për takimin e 27 shkurtit.
“(Kurti dhe Vuçiq) janë në dijeni me propozimin, deri në hollësitë e fundit. Javën e kaluar gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ata ndarazi u takuan me Përfaqësuesin e Lartë Josep Borrell, Kancelarin Gjerman Olaf Scholz dhe Presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Ata kanë dëgjuar tepër qartë se çfarë pritet nga ta, çfarë Bashkimi Evropian pret nga ta, çfarë ShBA’ja pret nga ta”, pati thënë Miroslav Lajçak.
Në letrën Macron-Scholz-Meloni, Kurtit haptazi i kërkohej themelimi i Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, pika kjo më e ngurtë asokohe e Albin Kurtit.“[…] të implementohen plotësisht dhe pa kushtëzime, të gjitha obligimet e ndërmarra në kornizën e dialogut, përfshirë marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015 për të krijuar një Asociacion të Komunave me Shumcië Serbe”.
Ambasada e Francës në Prishtinë dakordësimin e 27 shkurtit e kishte përshëndetur, derisa kishte bërë thirrje që marrëveshjet e mëherhshme të arritura në kuadër të Dialogut të Brukselit, e kryesisht Asociacionin e Komunave të banura me shumicë serbe të implementojë “pa asnjë vonesë”.