Partia Demokratike e Kosovës ka përjashtuar tre anëtarë të saj, të cilët ka thënë se e kanë shkelur vendimin e Këshillit Drejtues për të pezulluar çdo komunikim zyrtar dhe bashkëpunim institucional me kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe Lëvizjen Vetëvendosje.
Abazi reagon ashpër ndaj Kurtit pas video fjalimeve të ministrave
Në njoftim theksohet se tre anëtarët e përjashtuar janë të degës së PDK-së në Gjilan.
“Zyrtarët e përjashtuar nuk kanë zbatuar qëndrimet partiake dhe vendimin e Këshillit Drejtues të PDK-së edhe pas kërkesës me shkrim të datës 31 korrik 2023, të komunikuar zyrtarisht nga Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, dhe kanë vazhduar të shërbejnë Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Gjilanit, përkundër prishjes së koalicionit kohë më parë”, thuhet në deklaratën e PDK-së.
Në një njoftim të PDK-së të premten, pas mbledhjes së Kryesisë, është përsëritur kërkesa për zgjedhje sa më të shpejta.
“Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja në Kosovë, për shtetin dhe qytetarët, është e rëndë dhe vjen si pasojë e paaftësisë qeverisëse, keqqeverisjes dhe abuzimeve të shumta.Përfshirja e këtij pushteti në afera të ndryshme, prej atyre me energjinë, rezervat shtetërore, tekstet shkollore, trafikimin e substancave narkotike, keqmenaxhimin e institucioneve të ndryshme dhe keqpërdorimet e shumta të detyrave zyrtare – shpërfaqin karakterin e vërtetë të kësaj Qeverie. PDK shpreh shqetësimin e madh që si pasojë e kësaj qeverisjeje, mbi 150 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin në dy vitet e fundit, është rritur kosto e jetesës dhe çdo ditë po rritet numri i familjeve kosovare që po shkojnë drejt pragut të varfërisë. Për më shumë, është dëmtuar mirëqenia e qytetarëve dhe progresi i shtetit, ku si pasojë e sanksioneve ndërkombëtare, janë dëmtuar aleancat strategjike të shtetit dhe Kosova ka humbur një sërë fondesh të mëdha ndërkombëtare”, thuhet në reagim.
PDK-ja ka thënë se Qeveria Kurti “ka humbur çdo kredibilitet dhe nevoja për t’u rikthyer tek qytetarët, përmes zgjedhjeve të parakohshme, është e domosdoshme”.
“Kosova, sot, para se gjithash, ka nevojë për një Qeveri kredibile, të përgjegjshme, të aftë dhe e cila, në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë, do ta rikthejë vendin në kursin e duhur të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik”, përfundon deklarata e PDK-së.