Është shtyrë për të tretën herë data e nisjes së regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave.
Në 2021-n, si arsye është përmendu pandemia, një vit më vonë mungesa e infrastrukturës ligjore dhe e përgatitjes institucionale, ndërsa të mërkurën kryeministri Albin Kurti përmendi një arsye tjetër, e që lidhet me prokurimin.
Në mbledhjen e Qeverisë ai tha se kësaj radhe data e nisjes së regjistrimit do të shtyhet për dy muaj
“Edhe pse përgatitjet u bënë përkundër rezistencës së prodhuar edhe brenda Komisionit Qendror të Regjistrimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, procesin nuk mund të fillojë para datës 1 nëntor 2023, pra dy muaj më vonë, për shkak të pamundësisë së Agjencisë së Statistikave të Kosovës, që me vonesat e shkaktuara t’i planifikonte detajet e fundit”, ka thënë Kurti.
Analisti i politikave në Institutin për Hulumtime të Avancuara GAP, Agron Demi, e ka kritikuar ekzekutivin për shtyrjen e datës së regjistrimit, nga 1 shtatori në 1 nëntor. Ai shkroi në Facebook se Qeveria është treguar jo-serioze në këtë proces dhe se nuk duhet t’i fajësojë të tjerët.
“Regjistrimi i 2011 ka qenë i pari në Kosovën e pasluftës dhe memorandumet me organizatat ndërkombëtare edhe kanë qenë të arsyeshme. Kjo Qeveri ka pas dy vjet e gjysmë kohë me u përgatitë, me i udhëheqë vetë procedurat e prokurimit pa pasë nevojë me lidhë marrëveshje me organizatat ndërkombëtare për me ia mbulu dështimet Qeverisë. Se sa seriozisht e ka kjo qeveri regjistrimin e popullsisë tregon edhe fakti që e kanë lënë ASK-në me ushtrues detyre të kryeshefit që nga fillimi i mandatit qeverisës. Boll ma me vajtime e kukatje”, ka thënë ai.
Në mbledhjen e Qeverisë janë marrë edhe vendime të tjera, përfshirë miratimin e koncept-dokumentit për Gjykatën Administrative dhe të Punës
Edhe për këtë që e quajti reformë të rëndësishme, Haxhiu shprehu drojë se opozita mund ta dërgojë në Kushtetuese.
“Unë mendoj që duke pasur parasysh rëndësinë që ka themelimi i gjykatës administrative dhe zgjidhja e kontesteve nga marrëdhënia e punës, duhet të bëhet prioritet edhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjithnjë po flas në qoftë se opozita nuk e dërgon në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ajo.
Qeveria miratoi edhe Projektligjin për importin e përkohshëm. E Ministri i Financave Punës e Transfereve, Hekuran Murati, tha se, nëse kalon në Kuvend, me të mundësohet lirimi nga obligimet doganore për mallrat për import të përkohshëm, siç janë ato që ekspozohen në panaire.