Edi Rama, përmes një raporti të dorëzuar në Kuvend për aferat me tendera gjatë vitit 2020, ka shpallur 15 drejtorët dhe ministrat e tij më të korruptuar.
Bëhet fjalë për raportin e Komisionit të Prokurimit Publik, një organ nën komandën e Edi Ramës, që shqyrton ankesat për tenderat korruptivë.
Kur dy klientë të qeverisë grinden dhe nuk merren vesh paraprakisht se cili duhet ta marrë tenderin e radhës së paracaktuar, apo kur një kompani e re që nuk është pjesë e grupit klientelist hyn në lojë, në veprim futet Komisioni i Prokurimit Publik, i cili vendos se kush duhet ta marrë tenderin.
Kur grindja është për një tender të madh me vlerë disa milionë euro, sinjalizohet kryeministri Rama, i cili udhëzon KPK-në se kush duhet të marrë tenderin. Gjatë vitit 2020, konstatohet se ‘ujqërit’ e tenderave janë grindur më pak se sa në 2019, që do të thotë se hajdutët e tenderave janë marrë vesh me njëri-tjetrin.
Ankesat në Komisionin e Prokurorimit Publik kanë rënë me rreth 26 %. Nga mbi 1 mijë ankesa në vitin 2019, në vitin 2020 ka pasur 741. Megjithatë, këto ankesa janë të mjaftueshme për të mësuar se cilët janë ministrat dhe drejtorët më të korruptuar të Edi Ramës.
Dhe këtë na e tregon vetë Edi Rama me organin e shqyrtimit të procedurave tenderuese që ka nën varësi. Më të korruptuarit, konsiderohen ata të cilët rezultojnë me numrin më të madh të ankesave ndaj tyre, ankesa të cilat janë pranuar nga KPK-ja, duke i hequr tenderin nga duart klientit të ministrit apo drejtorit, dhe duke ia dhënë dikujt tjetër, që është ankuar se shpallja e fituesit është bërë në mënyrë korruptive.
Në krye qëndrojnë ish-ministri Brendshëm Sandër Lleshi dhe pasuesi i tij Bledi Çuçi, të cilët kanë pasur gjatë vitit 2020 nën varësi Agjencinë e Blerjeve të Përqendruar, një agjenci e shpikur nga Edi Rama për të zhvilluar tendera në emër të institucioneve të tjera, me qëllim për të kontrolluar vjedhjet me tendera.
Dhe kështu ka rezultuar. Agjencia e Blerjeve të Përqendruara është shpallur nga KPK-ja si organi më i korruptuar në Shqipëri. Më pas vjen drejtori i Postës Shqiptare, Laert Duraj, i cili ka qenë objekt i një sage denoncimesh nga mediat për vjedhje flagrante me tendera.
Nga rreth 20 mijë tendera që janë dhënë në sektorin e shëndetësisë që kur Rama emëroi ministre Manastirliun, rreth 7 mijë tendera janë dukshëm korruptivë, ku kupola e shëndetësisë nuk është kujdesur as për të rregulluar letrat në përputhje me ligjin. 99 % të tenderave në shëndetësi jepen me paracaktim, me diferencë qesharake mes fondit limit dhe ofertës fituese.
Në këtë listë nuk mund të mungonte fenomeni i korrupsionit në Shqipëri, Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, (ARRSH) Ergys Verdho, i cili nën urdhrat e Belinda Ballukut dhe vetë Bablokut qëndron pas aferave më të mëdha me tenderat në Shqipëri.
Lista më pas lista vijon me drejtorin e QSUT Enkel Joti, krahu i djathtë i Manastirliut në aferat me tendera në shëndetësi. Joti është vegla më e besuar e çetës mafioze që përlan tenderat në shëndetësi.
Gjatë vitit 2020, kjo çetë, sipas një tjetër raporti sekret, është përfshirë në pastrimin e parave. Përveç Tom Doshit, i futur në listën e zezë nga SHBA, një tjetër klient i Jotit dhe Manastirliut është edhe Besnik Halili, njeriu i mafies italiane Ndragheta’s. Tom Doshi ka marrë me paracaktim rreth 1 800 tendera, ndërsa Halili 100 tendera korruptivë, por me vlera marramendëse.
Pjesë e 15 pushtetarëve që drejtojnë ministritë dhe drejtoritë më të korruptuara sa i takon zhvillimit të tenderave gjatë vitit 2020, është edhe ‘thithëlopa’ e aferave Milva Ekonomi, Megjithatë, Ekonomi është emëruar ministre e Bujqësisë në fund të vitit 2020. Gjatë vitit 2020, kjo ministri është drejtuar nga Bledi Çuçi, i cili më pas u emërua ministër i Brendshëm. Gjithsesi, ministria e Bujqësisë e drejtuar nga Çuçi dhe Ekonomi është shpallur mes 15 institucioneve më të korruptuara sa i takon zhvillimit të tenderave.
Surprizë është përfshirja në këtë listë e Gramoz Ruçit, i cili disa ditë më parë ka deklaruar tërheqjen nga politika. Kuvendi, për shkak të natyrës së tij, nuk është lakuar më parë për tendera korruptive. Me sa duket, në fund të karrierës së tij politike, Ruçi ka krijuar një grup klientele për t’u dhënë me paracaktim tenderat.