Statusi i djeshëm i Koordinatores së Komiteteve në VV, Dejona Mihali, ka nxitur reagime të ashpra në vend. Pretendimet e saj se liderët e opozitës po flasin në telefon me afaristët e mëdhenj të vendit janë vlerësuar si skandaloze.
Përfaqësuesit e opozitës dhe njohësit e rrethanave politike në vend kanë bërë me dije se statusi i zyrtares së VV-së tregon se opozita po përgjohet.
Ata kanë ftuar organet e rendit dhe të drejtës që të marrin masa ndaj Mihalit.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka kërkuar nga Prokurori i Shtetit që me urgjencë ta marrin në pyetjen anëtaren e Kryesisë së VV-së.
Ish-deputeti i VV-së ka thënë se në këtë mënyrë Mihali po e rrezikon sigurinë kombëtare.
“Ndoshta edhe keni shkuar në pushim por me urgjencë duhet të ndani detyrën për të marrë Dejona Mihalin në pyetje për shkeljen e rëndë që bën. Këtu është në pyetje siguria kombëtare. Mihajli duhet arrestuar për faktin se ajo e di kush kënd e thërret në telefon dhe çfarë flet. Në këtë rast bëhet fjalë për udhëheqës të partive opozitare. Nëse ata kanë shkelur ligjin le të arrestohen nga gjyqësia, nëse dëshmohet se kanë bërë krim le të burgosen, por nuk mundet një shtet dhe një popull i tërë të shantazhohet nga masha Kurtit duke deklaruar haptas se ajo posedon informacion e rrjedhimisht edhe përgjohen telefonat nga njerëz të paautorizuar nga sistemi i drejtësisë”, ka shkruar Abazi.
Ai ka përmendur fjalinë problematike në statusin e saj.
“Asnjë qytetarë nuk duhet të jetë kaq i pambrojtur dhe kaq i rrezikuar nga një autokraci që i jep vetës të drejtë të bëhet edhe gjykatës edhe prokuror edhe polic hetues edhe detektiv edhe superfuqi mbi minstrat. Çfarë na duhet parlamenti në këtë shtet parlamentar kur kemi njerëz si Dejona e Kurti që i bëjnë të gjitha. Kjo është fjalia që rrënon sistemin juridik e kushtetues të vendit: Ose le ta marrë edhe pronarin e “Dukagjinit”, z. Lluka, Lumiri, pastaj Memli, ta sigurojnë që janë ‘Pas tij” siç e telefonojnë Shkëlqim Devollin këto kohë”, ka shkruar Kajtazi.
E ashpër me Mihalin ka qenë edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku.
Ajo zyrtaren e VV-së e ka quajtur noterë të patriotizmit.
“Kush është Dejona Mihaili? Çfarë autoriteti intelektual, patriotik, politik, akademik, na qenka ajo?! Çka ka bërë Dejona për Kosovën? Për Shqipërinë? Për akademinë? Për çkado?!!! Si u bë që Dejona që ne nuk e dimë kush është, të jetë notere e patriotizmit, akademisë, profesionalizmit?”, ka shkruar Çitaku.
Kurse, gazetari Vehbi Kajtazi ka thënë se Mihali po e keqpërdor AKI-në.
Në profilin e tij në “Facebok”, ai ka shkruar se me statusin e saj Mihali ka treguar se pushteti po i përgjon telefonat e opozitës.
“Statusi i djeshem i Dejona Mihalit, tregon se pushteti po e keqperdor AKI-ne. Me apo pa qellim, Mihali, e cila udheheq shtetin paralel brenda shtetit, ka treguar se po pergjohen lideret e opozites. Opozita duhet te nis nje hetim parlamentar dhe te beje kallzim penal ne Prokurorine Speciale per kete informate qe ka dhene ajo”, ka shkruar Kajtazi.
Çka tha Mihali?
Koordinatores së komiteteve në VV, Dejona Mihalit, dje nuk i kanë pëlqyer kritikat e opoztës për dështimin e Qeverisë që të siguron falas tekstet për nxënësit deri në klasën e pestë.
“Tashmë është kthyer në një si traditë. Sa herë ka ndonjë vendim që ndryshon kahjen e gjërave me qëllim interesin publik, shfaqet gjithnjë një grup financiar i stërmadh, i bërë i tillë jo nga talenti por nga privilegjet e hershme klientelist. Pas tij menjëherë shpërthen ekspertiza e ish ministrave dhe deputetëve të opozitës, shoqëruar padyshim nga ekspertët skrupuloz të fushës. Kjo ndodhi dhe sot me çështjen e teksteve shkollore”, ka shkruar ajo në profilin e saj në “Facebook”.
Pjesa e dytë e statusit të saj ishte problematike.
Aty ajo akuzon ashpër bizneset e mëdha në vend dhe opozitën, duke pretenduar se e di çka flasin në telefonat e tyre.
“U lajmërua pas konferencës së ministres së Arsimit, “Dukagjini” përfituesi i biznesit me tekste shkollore, dhe me radhë LDK, PDK, pastaj ekspertët e ethshëm që mendojnë ditë natë për shkollën dhe dijen. Sonte nuk do t’i zë gjumi, nga meraku. Pyeteni Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale çka mund të bëjë ai në këtë drejtim. I ka çunat e task forcës gati. Ose le ta marrë edhe pronarin e “Dukagjinit”, z. Lluka, Lumiri, pastaj Memli, ta sigurojnë që janë ‘Pas tij” siç e telefonojnë Shkëlqim Devollin këto kohë. Ah, edhe një komision hetimor, s’e harrova, për tekstet shkollore. Ta drejtojë Enver Hoxhaj, ish ministri që e njeh mirë këtë lëmi, bashkë me Akademik, deputet Kujtim Shalën, që e njeh nga afër dhe nga brenda “Dukagjinin”. Pastaj le të shpërthejnë si fishekzjarre portalet dhe TV private Pse jo? Kush si ata e mbron dijen dhe interesin publik? Askush”, ka shkruar Mihali.
Zyrtarja e VV-ja edhe më herët ka dhënë deklarata problematike.
Për këtë është paralajmëruar edhe hetim parlamentar.
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka bërë me dije se me fillimin e sesionit vjeshtor të Kuvendit do të kërkohet formimi i një komision hetimor parlamentar, i cili do të hetojë veprimtarin e Dejona Mihalit.