Se gjëja nga çka ke frikë të vjen në vizitë, thuajse biblikisht i ndodhi Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Raportimet disa-javore të Nacionales për dyshime të keqpërdorimit të blerjes së mallrave për Rezerva Shtetërore, ku u dhanë paratë për mall që s’erdhi kurrë, prodhuan përmbysje të madhe të “çiltërsisë” së pretenduar të pushtetit për mos-korrupsion dhe “qeverisje të pastër”.
Malli s’erdhi kurrë, por lajmet që malli s’erdhi kurrë, erdhën.
Me këto lajme erdhi edhe arrestimi i një personi krejtësisht privat që i besohen “sekrete shtetërore” dhe madje i jepen edhe punë shtetësisht sekrete, për të kontraktuar/blerë/negocuar mallra që supozohen të jenë në Rezerva Shtetërore.
Fjala është për gjëra elementare si vaj, sheqer, grur, vegetë, etj.
Këtu, sipas hetimeve të prokurorisë speciale, 600 mijë euro është dëmi – dhe një emër qëndron pezull në ajr, Ridvan Muharremi, tashmë i prangosur në paraburgim.
Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, doli në një konferencë për media – jo për t’u dorëhequr, por sa për të hequr duarsh obligimin e deklarimit të arrestimit të dy zyrtarëve të lartë në ministrinë që udhëheqë ajo, saktësisht për çështjen në fjalë: të vajit dhe grurit.
Gënjeu publikisht se Ridvan Muharremi nuk është i përfshirë në asnjë kontraktim të mallrave të rezervës shtetërore, ku s’u desht as 24 orë që të përgënjeshtrohet nga avokati mbrojtës i Muharremit, Mahmut Halimi.
“Pasi nga Ministria e kanë thirrur dhe e kanë lutur ti je biznesmen, na ndihmo nëse mundesh me gjet dikund grurë sepse nuk kemi”, tha ai ditë më parë.
“E ka angazhuar Ministria. Drejtpërdrejt ministrja Hajdari. E ka njohur si persona afarist, që ka traditë të gjatë, ka rreth të gjerë të miqve të vetë. Janë mysafir të cilët shkojnë në Restaurantin e tij. Ka një restaurant modest ku shërbehen ushqime tradicionale. Sjellje e shkëlqyer, pritje, nuk ka shkuar vetëm Kurti e ministrat. Por plot ambasadorë”, ka thënë Halimi.
E vërteta rëndom definohet si “korrespodencë me realitetin”, gjë që s’ishte rasti me deklarimin e minsitres, ku u përgënjeshtrua nga avokati i “Ridit”.
Edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më s’do të mund të mos deklarohej.
Por ama, nuk ia zuri goja vajin.
Çkah mos tha, përveç vajit. E publikoi tërë fjalimin e tij edhe në formë të shkruar – 462 fjalë – në asnjërën prej tyre s’e gjeni dot vajin.
Njëjtë siç nuk e gjeni as në Rezervat Shtetërore, për ku janë dhënë paratë, rreth 300 mijë euro, kompanisë polake “Xantos”, e cila atë vaj s’e solli kurrë.
Paratë janë dhënë, s’dihet kujt-kush-çka.
Përmes një video doli për të prodhuar katarsis e spastrim të fajit për mosarritjen e vajit – natyrisht, pa e përmendur.
E përmendi grurin, tha se 99.5% e saj ka arritur. Dhe se prej rezervave të tjera shtetërore të paguara, prej 10 milionë eurove të ndara, kanë mbërritur 97% e tyre.
Këtu prap, implicit, pa e thënë haptazi, dhe pa e përmendur si vaj, ai pranon se s’ka ardhur 3% e atyre 10 milionë euro mall – pra 300 mijë të ndara për vajin e paardhur.
Kurti, goditi të gjithë: mediat, prokurorinë, gjyqësinë, opozitën, ish-pushtetet – krjet këto duke ia vënë në kundërpeshë pretendimin për atë që ai e quan “ndërgjegje të pastër” të qeverisë së udhëhequr nga ai.
Thotë gjithçka për gjithkënd, por s’e thotë kryesoren: ku është vaji?
Jo rrallëherë ajo që s’thuhet, të thotë më shumë se sa ajo që thuhet. Dhe më indikativja ishte se vaji ishte e vetmja gjë që s’u tha nga ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, doli përmes një video për të ndjekur logjikën tmerrësisht apologjetike ndaj korrupsionit: të Kurtit.
“Mendojeni për pak”, e nisi fillimisht ai.
“Një Kryeministër që i jep miliona euro të buxhetit mikut të tij. Jo me garë, jo me procedurë, jo me ligj – por me tender veçmas për të. Një mik Kryeministri që merr miliona nga shteti me procedurë të qëndisur enkas për të, vendosë t’i marrë – siç na thotë Kryeministri vet – veç’ 3%; përkatësisht 52 ton grurë, 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogram sheqer. Një hajni që del sheshazi në publik, dhe një Qeveri që në njërën anë atakon mediat sepse zbuluan një skandal të tillë, e në anën tjetër prokurorinë sepse arreston keqbërësit e tillë”, tha Abdixhiku.
Opozitari Abdixhiku, shtjelloi më tej edhe termet që konsensualisht janë përdorur në vend për të definuar çka është korrupsioni, hajnia, zaptimi dhe kapja.
“Tenderave për miq i kemi thënë gjithnjë korrupsion! Marrjes së përqindjeve gjithmonë hajni! Frikësimit të gjyqtarëve kapje e zaptim!”, tha ai.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, krejt këtë skemë korrupsioni tha se e ka përshkruar madje qysh para një viti, kur thoshte se “Lëvizja Vetëvendosje ka aplikuar modelin korruptiv të lidhjeve të shkurta…që u del prej kontrolli”.
“Këto janë ato lidhjet e shkurtëra të kapjes së shtetit me miq e dosllarë, për të cilat e kam pasë ngritur alarmin këtu e një vit më parë, lidhje këto të cilat po dalin në shesh përditë e më shumë”, tha Haradinaj.
“Albin Kurti është i vetmi kryeministër që nuk i beson sistemit të shtetit të vet, por krijon sistem paralel. Ai edhe për operacionet më të ndjeshme të qeverisjes e të shtetit, që prekin edhe sigurinë kombëtare, angazhon njerëz që janë jashtë institucioneve, por që mjafton të jenë jarana të tij, siç ishte edhe rasti me Ridvan Muharremin”, shkroi Ramush Haradinaj.
Ndërkaq Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, nuk është deklaruar specifikisht për çështjen në fjalë, por ka totalizuar mbarë aferat e Qeverisë së Kosovës, përmes një shkrimi të vetëm.
“Keqqeverisja, e karakterizuar me skandale, afera, korrupsion, narkotrafikim e sanksione ndërkombëtare, duhet të marrë fund. Nëse nuk u kthehet mandati qytetarëve, shpejt, dëmet e këtij mentaliteti shkatërrues do t’i vuajnë për dekada qytetarët dhe shteti ynë. ZGJEDHJE TË REJA SA MË PARË!”, ka shkruar Memli Krasniqi.