Mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është shoqëruar me përplasje të ashpra mes përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe atyre të Partisë Demokratike të Kosovës, lidhur me votimin me asistencë për personat me analfabetizëm, raporton Ekonomia Online.
VV akuzoi PDK-në se ka instaluar në Kosovë “trenin bullgar” të vjedhjes së votave, duke e quajtur tani “tren kosovar” përmes keqpërdorimit të votave me asistencë.
Anëtari i PDK-së, Ilir Gashi, ka pyetur se a ka pasur ndryshime te doracakve për sa i përket votimit me asistencë.
“Kemi shumë kërkesa ose ankesa që nuk kanë mbërritur fletëvotimet në adresat përkatëse. Ky besoj që është problem i postës, jo problem i yni i brendshëm. A ka ndryshime të doracakëve, sepse po ka ankesa? Një problem i theksuar është te personat me analfabetizëm”, tha ai.
Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, theksoi se çdo votim me asistencë duhet të mbështetet në dokumentacion zyrtar.
“Çdo votim me asistencë duhet të dëshmohet përmes dokumenteve të lëshuara nga institucioni përkatës. Për të votuar me asistencë, votuesit i lejohet votimi me asistencë, por nevoja e veçantë dëshmohet përmes dokumentit përkatës”, tha Buzhala.
Anëtari i Vetëvendosjes, Alban Krasniqi, e cilësoi këtë praktikë si manipulim të hapur me procesin zgjedhor.
“Siç e dimë të gjithë, në ligjin e kaluar votimi apo asistenca e personave që nuk dinë shkrim e lexim ka qenë e përfshirë. Me ligjin e ri qëllimisht është hequr për shkak të nivelit të lartë të keqpërdorimit të kësaj forme. Është manipuluar hapur — 2 mijë veta që janë paraqitur si votues me asistencë. Me vazhdimësi kemi vullnete të vjedhura të qytetarëve të manipuluar e të shantazhuar duke keqpërdorur këtë formë. Përgjegjës për këtë është sekretariati, pasi unë mendoj që prej 2024-ës, kur ne kemi nxjerrë rregulloren, çdo procedurë në të cilën dikush tinëz e ka futur çështjen e votimit me asistencë që ndërlidhet me analfabetizmin, është asgjë më pak apo më shumë sesa tendencë e hapur për të manipuluar me procesin zgjedhor dhe me vullnetin e qytetarëve. Unë e ftoj prokurorinë që të marrë masa, sepse janë futur në një lojë të ulët dhe të dështuar politike”, tha Krasniqi.
Në reagim, Gashi tha se edhe ai e fton prokurorinë që të hetojë çështjen.
“Edhe unë e ftoj prokurorin se kush merret me ato shkelje. Unë e ftoj organet edhe prokurorin që me marrë për bazë edhe integritetin e atyre që e mohojnë atyre që me ja mohuar të drejtën e votimit. Shumë dokumente mund të merren në organet përkatëse, por t’i udhëzon që për këtë kategori, që unë njoh qytetarë që nuk dinë shkrim e lexim, duhet t’i njoftoni se cili institucion lëshon dokument që ky person nuk di shkrim e lexim”, tha Gashi.
Krasniqi kundërshtoi duke thënë se një dokument i tillë nuk ekziston.
“Nuk ka dokument që dëshmon analfabetizmin. Sepse ka institucione që janë që 20 vjet ku kushdo që pretendon se është analfabet mund të shkojë dhe të mësojë shkrim e lexim në institucionet tona. Është turp me paraqit veten si një popull kur niveli i analfabetizmit, sipas statistikave në disa komuna, del i lartë. Ky është një turp që me pranu si një dukuri të tillë për me kamuflu një tentim për manipulim të procesit”, tha ai.
Anëtari tjetër i VV-së, Sami Kurteshi, akuzoi PDK-në se përmes votimit me asistencë po tenton të vjedhë votat dhe të shkelë dinjitetin e qytetarëve.
“Qëllimi është votimi me asistencë që me i vjedh votat edhe me ta imponuar votën e pa dinjitetshme, me ta shkel dinjitetin, kryesisht të vajzave. Ajo është vrasje me pagu. Kush po don me ndërtuar institucione me vite të vjedhura? Çdo votë me asistencë në Kosovë është korrupsion dhe vjedhje. Treni bullgar në Kosovë është i instaluar nga PDK. PDK e ka zbuluar trenin bullgar në Kosovë, tash po e përdorin trenin kosovar me vjedhje të hapur me votimin me asistencë. Ti ke qenë kundër nxjerrjes së statistikave për votimin me asistencë. Nuk shkon kështu”, tha Kurteshi.
Ndërkohë, anëtari i PDK-së, Arianti Elshani, tha se statistikat dhe analizat për këtë çështje janë miratuar dhe ligji aktual e trajton ndryshe.
“Statistikat i kemi, kemi të miratuara edhe analizat e votimit me asistencë në zgjedhjet lokale të vitit 2021, për zgjedhjet e 2019-ës edhe për zgjedhjet e 2017-ës. A ka qenë ligji ndryshe? Ka qenë ligji ndryshe. Ka paraparë votimin për ata që nuk dinë shkrim dhe lexim në mënyrë specifike. Sot ligji është më ndryshe, është miratuar nga të gjitha partitë politike”, tha Elshani, raporton EO.




Të tjera
Aktuale
I dyshuari për vrasjen e dyfishtë në Malishevë lirohet nga spitali me pranga e i rrethuar me policë
Personi i dyshuar për vrasjen e
Aktuale
Egzon Thaçi nga Podujeva ka nevojë për ndihmën tuaj që të sigurojë paratë për shërim jashtë vendit
Egzon Thaçi, 40 vjeç, ka nevojë
Aktuale
Përparim Rama për sheshin Rexhep Luci: Kush mohon historinë, nuk meriton të udhëheqë qytetin
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke