Një aksion i hershëm i policisë së Kosovës të premtën vuri në pranga dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe një biznesmen me emrin Ridvan Muharremi që u bë i njohur si “sekseri” i dyshuar i pushtetit në aferën e “grurit dhe vajit” me rezervat shtetërore, aferë kjo për të cilën u publikuan edhe incizime e përgjime. Ridvan Muharremi, njeriu i afërt i kryeministrit Albin Kurti u arrestua në orët e hershme të mëngjesit dhe pronat e tij u bastisën.
Përveç Muharremit, aksioni i policisë së Kosovës herët në mëngjes zbarkoi edhe në objektin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ku u arrestuan dy zyrtarë shtetërorë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.
Përveç në pronat e tij, bastisje janë kryer edhe në MINT, ku janë arrestuar dy zyrtarë shtetëror, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica. Lidhur me këto arrestime, Prokuroria ka dalë me njoftim duke theksuar edhe veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit dhe duke njoftuar se të njëjtit do të dërgohen në mbajtje për 48 orë.
Prokuroria në njoftimin e vet ka bërë të ditur se të tre personat e arrestuar, Ridvan Muharremi, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica dyshohen për dy vepra penale: ‘’Keqpërdorim i detyrës zyrtare’’, si dhe ‘’Dhënie të ndihmës në kryerjen e veprës penale të Keqpërdorimit të detyrës zyrtare’’.
Lidhur me këtë çështje, reagime ka pasur edhe nga Ministria e cila udhëhiqet nga Rozeta Hajdari. Ndër të tjera, në reagimin e MINT thuhet se për një kohë të gjatë ka pasur tendenca të keqinformohet publiku dhe arrestimet janë si rrjedhojë e kësaj. Kështu, MINT doli në mbrojtje të të arrestuarve të dyshuar për dy vepra penale.
“Për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku në vendin tonë. Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe kordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast.”, thuhet në reagimin e MINT.
Në fillim të kësaj jave, më saktësisht të martën, një arrestim tjetër i një njeriu të afërt me pushtetin ndodhi në Tiranë. Kësaj radhe, çështja ishte trafikimi i narkotikëve. Besnik Mujeci, aktivist i hershëm dhe asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës u kap me hiç më pak se mbi 11 mijë doza ekstazi në vlerë rreth 400 mijë euro në Tiranë si pjesë e një grupi të organizuar kriminal të trafikimit të narkotikëve.
Për Mujecin, gjatë ditës së djeshme Gjykata Penale në Tiranë ka vendosur për masën “arrest në burg”, njëlloj si edhe për katër personat e tjerë të dyshuar lidhur me këtë rast.
Ngjarja bëri bujë të madhe në Kosovë, në Shqipëri por edhe në mediat e rajonit, ndonëse, veprimi i vetëm i Lëvizjes Vetëvendosje ishte distancimi i disa zyrtarëve të partisë nga veprimet e Mujecit dhe përjashtimi nga partia i Mujecit, që duket si veprimi minimal që mund të bënte subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje.
Lidhur me këtë çështje, pak e hiç figura të mëdha të pushtetit u deklaruan, megjithatë, është kërkuar përgjegjësi nga partia në pushtet duke marrë parasysh afërsinë që asamblisti e aktivisti Mujeci kishte me figurat kyçe të LVV-së.
Pak ditë më parë, iu vazhdua paraburgimi edhe Kryeshefit të pezulluar të Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, Nagip Krasniqit. Atij paraburgimi iu vazhdua edhe për dy muaj, ndonëse, Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore për zgjatjen e paraburgimit edhe për dy muaj. Aktvendimi i Gjykatës themelore është anuluar dhe çështja i është kthyer në rivendosje.
“Me aprovimin e ankesës së mbrojtësit të pandehurit Nagip Krasniqi, avokatit Virtyt Ibrahimaga, sipas detyrës zyrtare, aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special PPPS.nr.20/2023 dt. 19.07.2023, anulohet dhe çështja i kthehet Gjykatës së njëjtë në rivendosje”, thuhet në pikën e parë të aktvendimit.
Sipas vendimit, Nagip Krasniqi do të mbetet në paraburgim deri në një vendim tjetër të gjykatës së shkallës së parë.
Krasniqi është i dyshuar lidhur me një tender në KEK, ndërsa veprat penale me të cilat përballet ai janë: “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, “ushtrim të ndikimit” dhe “konflikt i interesit”. Megjithatë, pas arrestimit, Krasniqi ishte marrë nën mbrojtje nga eksponentë të pushtetit hapur edhe në Kuvendin e Kosovës.
Megjithëkëtë, duket se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk është shumë e shqetësuar lidhur me këto arrestime. Madje, pushteti nuk është i shqetësuar as me raportimet e mediave sllovene lidhur me përfshirjen e pretenduar të njeriut të partisë, ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj në afera milionëshe në disa çështje të lidhura me tregtinë e energjisë.
Të premtën në ora 18:00, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari do të mbajë një konferencë për media dhe ende nuk dihet se cili do të jetë versioni i saj lidhur me këto arrestime.