Në ora 6 të mëngjesit, pak pas lindjes së diellit, disa zyrtarë të Policisë së Kosovës u shfaqën te banesa në pronësi të Ridvan Muharremit, pronarit të furrës të shndërruar në restorant, “Bukë e Zemër”, i cili frekunetohet shumë nga kryeministri Albin Kurti. Policët shkuan për të bastisur banesën dhe pak më vonë edhe lokalin e Muharremit, i cili dyshohet në lidhje me aferën e vajit dhe grurit.
Aryseja tashm është lehtë e rrokshme. E gjithë bastisja nisi në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të rezervave shtetërore në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari.
Në banesën që gjendet në afërsi të shkollës “Gjergj Fishta” në Prishtinë, policia qëndroi 2 orë e 20 minuta, duke hyrë e dalë nga banesa disa herë. Pak më vonë, në banesë u shfaq edhe avokat i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, i cili deklaroi se nuk ka ende fletarrest për klientin e tij.
“Ende nuk kemi fletarrestim…Normal i ka dorëzuar të gjitha materialet që jemi përgatitur me kohë. Jemi përgatitur për të vërteten.” – deklaroi ai fillimisht para medieve.
Përveç në banesën e tij, policia i shkoi Muharremit edhe në lokalin e tij, që shpesh për mysafir e ka edhe vet kryeministrin Kurti. Edhe aty policia qëndroi disa orë, ndërsa Muharremi u shoqërua nga policia në Prokurorinë Speciale.
“Urdhër arrest nuk ka, ka urdhër për bastisje. Tash klientin tim e kanë dërguar direkt në Prokurorinë Speciale ku ka me dhanë një deklaratë dhe mandej vendoste se çfarë do të jetë epilogu dhe statusi i tij”, ka thënë ai para medieve.
Ai ka treguar se bastisja lidhet me rezervat shtetërore.
“Ende nuk kemi as dyshime, me siguri se fjala është për lajmet e publikuara rreth importit të sasisë së grurit dhe vajit. Për këtë do të japim sqarime atje. Provat janë, kështu që gjithçka do të sqarohet”, ka thënë Halimi.