Asamblisti i Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë, Granit Geci ka thënë se asamblisti i VV-së, Besnik Mujeci, do të jetë sërish pjesë e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ngase për të ky rast nuk do të ishte i pari i kësaj natyre.
I ftuar në RTV Dukagjini, Geci ka përmendur edhe një rast të ngjashëm me atë të asamblistit Mujeci e që kishte përfunduar me ripjesëmarrjen në Kuvendin komunal.
“Jam i bindur që do ta kemi sepse pothuajse të njëjtin rast e kemi pasur edhe me një asamblist tjetër të LVV-së, Berat Lahu, i cili po ashtu rëndohej nga akuza të rënda siç ishte keqpërdorimi i detyrës zyrtare, marrja e ryshfetit dhe për një moment e kemi parë se iu bashkua sërish Kuvendit Komunal, jemi mësuar tashmë me këto.” – ka deklaruar Geci.
Ndër të tjera përjashtimin e Mujecit, Geci e ka quajtur “fasadë”, duke thënë se përjashtimi i tij nga LVV-ja u bë si shkak i presionit publik ndaj subjektit politik të tij.
“Në momentin që morëm vesh, ne kemi kërkuar përgjegjësi nga zoti Mujeci, por edhe nga Lëvizja Vetëvendosje, kemi kërkuar dorëheqjen e menjëhershme dhe të revokueshme të asamblistit dhe një distancim serioz të VV-së nga asamblisti. Nga mendiat jemi informuar që ka ndodhur një përjashtim ‘fasadë’ sepse reagimi i LVV-së ishte si pasojë e presionit qytetar…ne prapë se prapë s’kemi si ta largojmë nga përgjegjësia LVV, duke ditur se i njëjti është një nga figurat kryesore të saj, si organizative edhe atë të vendimmarrjes.” – ka deklaruar ai.