Nga fundi i muajit qershor, Kosova është nën masa ndëshkuese të Bashkimin Evropian. Kjo për shkak injorimit të kërkesave të BE-së për deeskalimin e situatës në veri të vendit.
Bashkimi Evropian ka treguar fushat kryesore në të cilat ka ndëshkuar Kosovën, derisa Qeveria e Kosovës nuk ka dhënë shumë detaje se kush janë institucionet që do të preken më shumë nga këto masa.
Deri me tani janë disa institucione qendrore dhe lokale janë ankuar se janë prekur drejtpërdrejt nga masat e BE-së.
I fundit që është ankuar është ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
Ai ka bërë me dije se ka qenë “viktima e parë e këtyre masave”.
Rashiq ka thënë se si pasoj e këtyre masa i është anulua një vizitë e rëndësishme në Bruksel.
“Unë isha viktima e parë e masave që u morën nga BE-ja. Më duhet të them, ne ishim paraparë të niseshim në Bruksel të dielën, ishte qershor. Kishim plan të takoheshim të hënën, dhe duhej të niseshim të dielën. Gjitha takimet u anuluan të premten pasdite. Zhgënjimi im ishte i madh, u desh të mbulonim të gjitha kostot si të biletave, hotelit në Bruksel e nuk shkuam fare atje”, ka thënë Rashiq, në një video që u publikua në platformën “X” nga Gerald Knaus.
Më herët, BE-ja ka njoftuar se ka marrë vendim për pezullimin e fondeve të IPA-s.
Për masat është ankuar edhe Mehmet Ballazhi, kryetar i Komunës së Hanit të Elezit.
Ai ka treguar se për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës, është komplikuar një projekt i kësaj komune që financohet nga BE-ja dhe Banka Botërore.
Ai ka bërë me dije se në këtë mënyrë janë prekur edhe disa komuna tjera në Kosovë.
“Para një jave kemi pasur një takim me Bankën Botërore dhe Bashkimin Evropian dhe janë diskutuar edhe këto çështje, Hani Elezit, Artana, Obiliqi. Është në një projekt i Bankës Botërore me një shumë, ne dhe Artana i kemi 15 milionë euro, është trajtimi i mbetjeve të rrezikshme në lumin Lepenc e që këtu ne kemi mbetje nga azbesti. Në atë projekt jemi ne dhe Artana me 15 milionë dhe 5 milionë të tjera janë Obiliqi. Tani Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian, për shkak të masave, që është dashur edhe 24 milionë t’i bashkëngjiten këtij fondi, do të thotë 45 milionë, për shkak të këtyre masave jemi të hendikepuar për të filluar me këtë projekt”, ka thënë ai për Kosovapress.
Balazhi ka treguar se ky projekt ka qenë jetik për komunën e tij.
“Edhe pse jemi në fazën e parë kjo është një marrëveshje ndërkombëtare që duhet të kalojë përmes Qeverisë në Kuvend dhe pastaj të fillojë me implementimin e projektit. Ky projekt do të jetë jetik për Hanin e Elezit sepse trajtimi i lumit Lepenc është shumë me rëndësi për ne për shkak të mbetjeve të azbestit si mbetje të rrezikshme dhe besoj do të pastrohet dhe krijohet vend rekreativ për qytetarët”, është shprehur Ballazhi.
Fluksi i madh në Merdare, Policia e Kosovës del me kërkesë për mërgimtarët
Para se BE-ja të fillonte zbatimin e masave ndëshkuese, edhe SHBA-ja kishte ndërmarr disa masa ndaj Kosovës.
Në këtë mënyrë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin përjashtuar Forcën e Sigurisë së Kosovës nga ushtrimi “Defender Europe 23”.
Qeveria kërkon heqjen e masave
Me marrëveshjen e Bratislavës, Kosova është pajtuar me BE-në për ndërmarrjen e disa hapave për deeskalimin e situatës në veri.
Pas kësaj marrëveshje, institucionet e Kosovës kanë vepruar në drejtim të realizimit të kësaj marrëveshje, duke e zvogëluar prezencën policore afër katër komunave në veri.
Me ndërmarrjen e këtyre veprimeve, kryeministri Albin Kurti ka kërkuar nga BE-ja heqjen e masave ndëshkuese.
“Ka dakordim midis zëvendëskryeministrit Bislimi dhe emisarit evropian Lajçak, por ky dakordim i tyre në Bratislavë do të duhej të bëhej qëndrim i BE-së. Ne konsiderojmë që Kosova me progresin e saj ekonomik dhe demokratik do të duhej të kishte mirënjohjen e BE-së edhe kurrfarë masash ndëshkuese. Sa më herët që merret vesh një gjë e tillë, natyrisht që është më mirë për të gjithë”, ka deklaruar Kurti.
Edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se masat e BE-së janë të pakuptimta.
“Ato masa janë të pakuptimta për mendimin tim dhe duhet të hiqen sa më shpejt. Se si do të jetë procesi do të më lejoni mos ta diskutojmë publikisht sepse i ka disa gjëra të cilat është mirë kur ndodhin dhe është mirë kur gëzohemi në fund por është mirë ta ruajmë njëfarë konfidencialiteti ndaj partnerëve”, ka thënë Gërvalla për RTK.
Pavarësisht kërkesës së Qeverie, BE-ja ende nuk ka treguar gatishmëri për heqjen e masave ndëshkuese.
Zyrtarja për politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, Zoi Muletier, ka thënë për RTV21 se se nevojiten edhe hapa të mëtutjeshëm.
“BE-ja mirëpret njoftimin e fundit nga qeveria e Kosovës për një reduktim të mëtejshëm prej 25% të pranisë së policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Vendimi është marrë pas takimit të nivelit teknik në mes të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it me qëllim përcaktimin e parametrave të përbashkët për vlerësimin e situatës së sigurisë në komunat veriore. Këto janë hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, ka thënë Muletier.
Duke se BE-ja nuk do të lëviz në këtë drejtim pa mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komuna në veri.
Ndonëse Qeveria nuk ka treguar se për çfarë masash bëhet fjalë, BE-ja ka bërë me dije se bëhet fjalë për suspendimi e MSA-së, suspendimi i projekteve që financohen nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor, pezullimi i fondeve të IPA dhe pezullimi i takimeve të larta dy palëshe dhe masa të tjera.
Nga fillimi i zbatimit të këtyre masave, liderët institucionalë të Kosovës nuk kanë realizuar vizita të rëndësishme në vendet e BE-së.