Ekspertja për komunikim në Fondin e Kosovës për efiçiencë të energjisë, Fillojeta Konjuhi, ka treguar se si mund të përfitojnë qytetarët në izolimin e shtëpisë, ndërrimin e dyerve dhe dritareve të jashtme, si dhe izolimin e kulmit.
E ftuar të hënën në KTV, Konjuhi ka thënë se ky fond javën e kaluar ka shpallur thirrjen publike për subvencionim të qytetarëve lidhur me masat efiçiente të cilat i implementojnë ata në shtëpitë e tyre.
CNN: Qasja e Perëndimit ndaj Vuçiqit po destabilizon Ballkanin
“Javën e kaluar është hapur thirrja publike me të cilën do të subvencionohen qytetarët për masat efiçiente, të cilat i implementojnë në shtëpitë e tyre, bëhet fjalë për 45-50 për qind të shumës me kufirin maksimal prej 5500 eurove. Përmes këtij subvencionimi qytetarët do të mund të përfitojnë në izolimin e shtëpisë, ndërrimin e dyerve dhe dritareve të jashtme dhe izolimin e kulmit. Fillimisht ju bëj thirrje qytetarëve që të gjithë ta lexojnë thirrjen publike, ku janë të gjitha fazat e përshkruara në detaje, duke filluar nga kushtet e aplikimit, mënyra e aplikimit, kushtet e përzgjedhjes dhe i gjithë procesi deri te marrja e parave”, ka thënë ajo.
Si hap i dytë, ajo ka thënë se duhet hyrë në faqen e-Kosova për të parë nëse e kalojnë kriterin bazë që është të kenë të shpenzuara të paktën 250 kW për muaj.
“Ky kusht është vendosur sepse janë vetëm 2000 shtëpi dhe është buxhet 10 milionë euro, po synojmë t’i targetojmë ato shtëpi që janë të banueshme dhe kanë konsum të lartë të energjisë elektrike. Më pas duhet thirrur Auditori i Energjisë që do të kujdeset të bëjë matjet dhe të verifikojë nëse shtëpia ka nevojë për këto masa dhe pasi ta marrin raportin mund të fillojnë aplikimin në e-Kosova”, ka thënë ajo.
Konjuhi ka njoftuar se auditorin qytetarët e paguajnë vetë, por kur e marrin subvencionimin, marrin shumën prej 150 eurosh për raportin që e kanë bashkëngjitur gjatë aplikimit.
Aplikimi parashihet të jetë i hapur deri më 25 shtator.