Kosova vazhdon të jetë nën trysninë e faktorit ndërkombëtar për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve sa më shpejtë në pjesën veriore. Pas tërheqjes së 50% të pranisë së Policisë nga objektet komunale në veri të vendit, Qeveria thotë se po punon në shtendosjen e situatës.
“Ne mbesim të përkushtuar për de-eskalim të plotë të situatës në veri, vigjilent ndaj çfarëdo potenciali për ri-eskalim, dhe besnik ndaj ligjshmërisë dhe kushtetutshmëri”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë së Kosovës.
Pas vendimit për tërheqje e 50% të Policisë në dhe rreth komunave në veri të vendit si përmbushje e marrëveshjes së Bratislavës midis Kosovës dhe BE-së, Qeveria i ka kërkuar Bashkimit Evropian heqjen e masave ndëshkuese.
Bashkimi Evropian ende nuk i është përgjigjur kërkesës së Qeverisë për tërheqjen e masave ndëshkuese. Por, për RTV21 zyrtar të BE-së kanë thënë se kanë kërkuar nga Qeveria informacione në lidhje me nismën që përmes peticionit të mbahen zgjedhjet në katër komunat në veri si njëri nga tre kushtet e BE-së për uljen e tensioneve.