Plagosja e zyrtarit evropian në Kosovë: Çka dihet deri tash?

Në media është raportuar se S.I.Sh, zyrtar i Zyrës së BE-së në Kosovë, është therë me thikë mbrëmjen e 4 nëntorit në qytetin e Gjakovës dhe sipas raportimeve, ai është transferuar nga spitali i Gjakovës për në QKUK, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Gazeta Nacionale, ka pyetur Prokurorinë lidhur me këtë rast, nga ku thonë ‘janë duke ndërmarrë veprime në përputhje me ligjet ne fuqi me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike.

“Lidhur me çështjen për cilën keni adresuar pyetje, Prokuroria Speciale ju njofton se nga momenti kur e ka pranuar rastin në trajtim, ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi.

Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike” – thotë Prokuroria Speciale në një përgjigje për Gazetën Nacionale.

Nga Prokuroria, thonë se meqë rasti është në fazën fillestare të hetimeve, ‘nuk mund të ndajnë më shumë informacione rreth rastit’.

“Duke theksuar se rasti është në fazën fillestare të hetimeve, me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit hetimor, në këtë fazë nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, thonë nga Prokuroria.

Ndërkohë nga Zyra e BE-së në Kosovë, i kanë thënë Klan Kosovës, se ‘janë të tronditur nga ky lajm’ por se ‘nuk janë në gjendje të japin më shumë detaje në këtë kohë”.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është deklaruar rreth rastit të therjes me thikë të një zyrtari të saj në Gjakovë.

Zëdhënësi i kësaj zyre, Nikola Gaon ka thënë se janë tronditur nga ky lajm.


Jemi të tronditur nga ky lajm dhe i urojmë stafit të përfshirë shërim të shpejtë dhe të plotë. Një hetim është duke u zhvilluar dhe autoritetet po përcaktojnë faktet. Meqenëse ky është një hetim aktiv, nuk jemi në gjendje të japim detaje të mëtejshme në këtë kohë”, ka thënë Nikola Gaon, zëdhënës i Zyrës së BE-së në Kosovë, në një përgjigje për KlanKosovën.

Të tjera