Ditën e sotme, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, Lëvizja Vetëvendosje e propozoi nënkryetarin e kësaj partie, Glauk Konjufca, si mandatar për kryeministër të Kosovës. Ky propozim disa ditë pasi që i nominuari i parë i kësaj partie, Albin Kurti, dështoi t’i merrte 61 vota për kryeministër.
Gjatë fjalimeve, të Kurtit dhe Konjufcës, mes kritikave që u dhanë për partitë e tjera, aty u dëgjuan edhe lëvdata të shumta për njëri-tjetrin. I pari që nisi këtë ‘stuhi’ lëvdatash, ishte Kurti, shkruan Gazeta Express.
Kurti ishte plotë fjalë të mira për të propozuarin Konjufca, duke thënë mes shumë tjerash e ky i fundit i ka mësuar ata se ‘’ ndërtimi i shteteve të zhvilluara ka qenë rezultati i një reflektimi afatgjatë’’.
Por, kryetari i VV-së s’e la me kaq. Kurti vazhdoi lëvdatat e tij për Konjufcën duke e vlerësuar atë si ‘’bartës të kthjelltësisë’’, e ‘’figurë të pjekurisë’’.
Kurti madje tha se ata janë me fat që e kanë në mesin e tyre ‘’njohësin e mrekullueshëm të historisë’’, të cilin vazhdoi Kurti, ia rekomandojnë ‘’dashurisë sonë Kosovës’’.
‘’Sot unë dua të bëjë një propozim të menduar mirë, e bëj këtë propozim jo për të bërë lëshim. Unë do të propozojë që mandatin e dytë për krijimin e qeverisë të ia japim nënkryetarit, aktivistit, shokut e mikut tonë të afërt e fortë të besueshëm Glauk Konjufca. Këtë propozim e bëj për shkak të vlerësimit të madh që e kam e kemi të gjithë bashkë të Glauku. Në dy dekada aktivizimi masiv, Glauk Konjufca na ka mësuar se ndërtimi i shteteve të zhvilluara ka qenë rezultati i një reflektimi afatgjatë. Mes filozofive të forta, filozofia më e fortë është filozofia e lirisë. Glauku nuk është filozof vetëm me formim universitar, por është dyfish i ndërtuar, mishërim i filozofisë së lirisë si aktivist politik dhe i studiuesit të filozofisë si politikan shtetit. Simpatizant i Hegelit edhe ashtu si e kuptonte ky lirinë, Glauku është angazhuar gjithmonë për ndërtimin e realitetit të Kosovës sipas konceptit, për ndërtimin e shtetit sipas konceptit shtet si popull, territor dhe sovranitet. Bartës i kthjelltësisë, që në çastet e para të organizatës sonë. Figura e pjekurisë si nënkryetar i Lëvizjes sonë, shembull i urtësisë si kryetari kuvendit, mjeshtër i komunikimit dhe argumentimit si ministër i jashtëm. Ne jemi me fat të padiskutueshëm që kemi njohësin e mrekullueshëm të historisë së largët dhe të afërt, jemi me fat që kemi njeriun bujar në miqësi e bashkëpunim. Histori, filozofi, drejtësi, mendje e ndritur e jona, të cilën ia rekomandojmë dashurisë sonë Kosovës”, deklaroi ai sot.
Pas këtij fjalimi të Kurtit, radha për lëvdata i erdhi kryesueses së mbledhjes së KP-së, Arberi Nagavci. Kjo e fundit ‘shpërtheu në emocione’, duke u shprehur mirënjohëse ndaj Kurtit, për atë që deputetja e cilësoi si ‘’shpërfaqje e madhështisë dhe veçantisë së Lëvizjes’’.
“Faleminderit kryetar, kryeministër Kurti. Faleminderit për fjalën tuaj, për propozimin, e mbi të gjitha faleminderit që edhe një herë e shpërfaqni madhështinë dhe veçantinë e Lëvizjes, e cila si ngahera, kur është në pyetje interesi i shtetit, merr vendime të cilat janë më të drejtat e të duhurat për Republikën tonë”, u shpreh ajo.
Në fund, sigurisht, rendi ishte te Konjufca. Edhe ky u deklarua me plotë fjalë të mira për liderin e VV-së. Konjufca qysh në fillim e cilësoi Kurtin si ‘’kryeministri më i mirë që ka pasur’’ Kosova.
Konjufca vlerësoi edhe se Kurti ka nxitur frikë tek kundërshtarët e tij, duke shtuar edhe se ‘’nuk ka forcë që e ndal e shkëputë lidhmërinë e popullit’’ me VV-në.
“I dashuri bashkudhëtar i fillimit të rrugëtimit tonë, i nderuari kryetar i Vetëvendosjes, kryeministër i Republikës, miku im, Albin Kurti, më lejo që qysh në fillim du me të siguru diçka që populli shumë shpejt pret që ti të rikthehesh edhe më fuqishëm se në vitin 2021. Padyshim që ke qenë dhe do të mbetesh kryeministri më i mirë që ka pasur shteti ynë. Me përulje dhe obligim me duhet ta pranoj këtë nominim të Këshillit të Përgjithshëm për mandatar kryeministri. Albin Kurti është personi më i votuar në historinë e zgjedhjeve parlamentare të Kosovës. Problemi i nderuari kryetar Albin, është që, aq sa e ke gëzu popullin me gjithë këtë mbështetje, në po të njëjtën masë ke nxitë edhe shumë frikë tek kundërshtarët e tu politikë. Ama një gjë e dimë të gjithë, nuk ka forcë që e ndal e shkëputë lidhmërinë e popullit tonë me LVV-në’’, tha Konjufca mes tjerash.
Ndryshe, menjëherë pas kësaj mbledhjeje të VV-së, filluan edhe deklarimet nga partitë e tjera. Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, deklaruan se s’do ta votojnë Konjufcën për kryeministër.



Të tjera
Aktuale
Osmani mendon se ka hapësirë për dakordim që Konjufca të bëhet kryeministër
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, tha
Aktuale
Osmani e çon në vend kërkesën e Kurtit, ia jep mandatin Konjufcës për ta formuar Qeverinë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e
Aktuale
Çfarë dihet për personin që, sipas Kosovës, u rrëmbye nga Xhandarmëria serbe?
Një person mashkull me inicialet M.V.,