Analisti politik, Imer Mushkolaj, ka thënë se qasja e pushtetit ndaj gazetarëve, duke i lidhur ata me Serbinë, ka krijuar klimë pasigurie për ta.
Ai tha mesazhe të tilla, që e etiketojnë me Serbinë dhe kërcënime me jetë, ka marrë shumë në rrjete sociale.
“Qasja dhe gjuha e njerëzve të pushtetit ndaj mediave dhe gazetarëve po i rrezikon ata, duke iu krijuar klimë pasigurie në punë. Gjuha e urrejtjes në platforma sociale nga militantë e simpatizantë të VV’së dhe etiketimet, si “shpiun i Serbisë”, “argat i Vuçiqit”, “i shitun” etj. tashmë janë kthyer në normalitet. E paimagjinueshme sa shumë mesazhe kërcënuese kam marrë këto ditë në rrjetet sociale, të llojit “ti po e mbështet Vuçiqin”, “ti po e lufton Albinin”, “duhet me ju burgosë”, “duhet me ju vra” etj”.
Mushkolaj tha se pushteti po i konsideron kritikët armiq dhe po përpiqet t’i diskreditojë e delegjitimojë, para se “armata e militantëve t’i “masakrojë” ata online dhe t’i kërcënojë edhe fizikisht”.