Ishte ndër të parët nga faktori ndërkombëtar që u shpreh i shqetësuar me vendimin e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e mediumit “Klan Kosova”, por ambasadori gjerman, Jorn Rohde, orëve të fundit është sulmuar me të madhe në rrjetin social Tëitter pikërisht për këtë qëndrim të tij. Duke e cilësuar si të turpshëm, duke pretenduar se u pagua nga ky medium – çka po i thonë komentuesit përfaqësuesit të një prej shteteve më aleate të Kosovës?
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ambasadori Rohde cilësoi se vendimi i fundit i Qeverisë është një goditje e rëndë për lirinë e medias.
“Shumë shqetësuese: Mbyllja e një prej mediave më të mëdha në Kosovë do të ishte një goditje e rëndë për lirinë e medias.” – shkroi ai.
E krahasojnë me mbylljen e mediave ruse
Një krahasim skandaloz i cili mund të vërehet nga një shumicë e komentuesve në shkrimin e ambasadorit gjerman, është ai i Klan Kosovës me mediat ruse.
Këtyre të fundit iu ndalua transmetimi në shumicën e vendeve të Evropës për shkak të shpërndarjes së propagandës, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë.
“A ke marrë para prej tyre?” – ka shkruar një komentues.
![](https://nacionale.com/uploads/1_2023-07-29-071743_itws.jpg)
![](https://nacionale.com/uploads/2_2023-07-29-071756_utpx.jpg)
“Gjermania e ndaloi Russia Today, për shkak të propagandës nga Rusia. Por kur Kosova bën të njëjtën me Klan Kosovën që paguhet nga Rusia, është një gjë e keqe.” – është një koment tjetër i tmerrshëm nga një qytetar në Twitter.
![](https://nacionale.com/uploads/4_2023-07-29-071813_gdnf.jpg)
![](https://nacionale.com/uploads/3_2023-07-29-071813_wqov.jpg)
Një komentues është shprehur si vijon: “Russia Today ishte një prej mediave më të mëdha në Evropë por ju e mbyllët. Klanit i është dhënë çdo mundësi që ta shpjegojë regjistrimin e biznesit. Sundim i ligjit, pa pritshmëri, duket të jetë prioriteti i kësaj qeverie. Ju duhet të gëzoheni për këtë”.
![](https://nacionale.com/uploads/5_2023-07-29-071842_cgtb.jpg)
Të tjerë, i kanë kërkuar ambasadorit “të mos merret me çështje që nuk i takojnë”.
Po ashtu, ka pasur të tillë që i kanë thënë se kjo është e turpshme.
![](https://nacionale.com/uploads/7_2023-07-29-071855_ubtv.jpg)
Çka ndodhi dje?
Sipas Qeverisë së Kosovës, adresa e një biznesi po bëhet arsye për ta mbyllur një prej televizioneve më të mëdha në Kosovë, “Klan Kosovën”.
Pavarësisht ankesës së mediumit, MINT e refuzoi të njëjtën dhe e bëri me dije se kjo çështje ka përfunduar për ta, duke ia lënë në dorë rastin institucioneve të drejtësisë.
“Mirëpo, Komisioni i Ankesave ka evidentuar po ashtu se përpjekjet e vonuara të palës për t’i korrigjuar shkeljet e saj ndër vite, ende nuk kanë shkuar deri në fund. Vendimi i Komisionit konstaton se, në dokumentet zyrtare për “pronarët e vërtetë të subjektit” KGO Media Invest DOOEL, shtetësia e pronarit të këtij subjekti identifikohet si “Kosovo”, ndërsa shteti i vet ende si “Serbia”, duke e paraqitur përsëri Kosovën si pjesë të Serbisë. Ky konstatim i Komisionit ngre edhe një herë pyetjen, cila është arsyeja e vërtetë pse Klan Kosova sh.p.k. po insiston ta paraqesë Kosovën si pjesë të Serbisë?” – thuhej në komunikatën e ministrisë, të publikuar pasditen e së premtës.
Mediumi “Klan Kosova” ndërkaq, ka njoftuar se i ka të gjitha dokumentet që dëshmojnë se pronari i kompanisë e ka regjistruar në komunën e Gjakovës të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Klan Kosova bëri do të ankohet në gjykatën kompetente rreth rastit.
Krejt kjo shkaktoi reagime të shumta, gjë që duket e nxiti ministren Rozeta Hajdari të bëjë edhe një reagim. Sipas saj, një biznes vetëm pse merret me media, nuk duhet të amnistohet.
“Për sa i përket vendimmarrjes në kuadër të MINT, procedimi i rastit Klan Kosova sh.p.k. ka përfunduar.” – deklaroi ajo mes tjerash.
Një zhvillim i tillë, po konsiderohet si sulm serioz ndaj demokracisë së vendit, e madje, shtetet aleate të Kosovës vlerësuan që ky është vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë.
“Ne jemi veçanërisht të shqetësuar se heqja e licencës së biznesit të Klan Kosovës është një vendim joproporcional që do të ketë pasoja në pluralitetin mediatik në Kosovë. Revokimi i licencës së çdo media është një hap i rëndësishëm që kërkon shqyrtim rigoroz. Liria e shprehjes dhe e informimit janë tipare thelbësore të shoqërive demokratike.” – u tha në një reagim të shteteve të QUINT-it dhe BE-së.