Janë bërë 22 vite që kur kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari së bashku me disa familjarë të tjerë, janë kthyer në vendlindje pas betejës së 5,6,7 marsit, ku u vranë pjesëtarë të familjes të komandantit Adem Jashari.
Përmes një shkrimi në Facebook, Jashari ka rrëfyer rrugëtimin si dhe takimet e para pas mbërritjes në Kosovë.
Statusi i plotë:
22 vite nga kthimi im bashkë me mixhën Rifat, Muratin dhe Lulëzimin në Kosovën e Lirë, në Skenderaj dhe në Prekaz, në vendin që tashmë gjithçka ishte ndryshe.
Ishte takimi im i parë me motrën Besartën pas tmerrit që kishte përjetuar në betejën e 5,6 dhe 7 marsit 1998, duke parë të gjithë anëtarët e familjes duke rënë një nga një për Lirinë tonë.
Kthimin në Kosovën e Lirë, e bëmë përmes portit të Durrësit, atje u pritëm nga atdhetari Sokol Poga. Rruga deri në Kosovë ishte shumë e gjatë dhe e mundimshme po aq sa dhimbjet e vuajtjet tona shekullore deri në jetësimin e ëndrrës tonë për Liri e Pavarësi.
Rrugë e gjatë që përcillej me kujtime nga e kaluara jonë e lavdishme, nga vuajtjet e sakrificat e brezave të tërë deri në çlirimin e vendit tonë.
Në Prizren pasoi një pritje madhështore e bashkëluftëtarëve të Komandantit Legjendar Adem Jashari e ushtarëve të UÇK-së, të cilët kishin dalë për të na përcjellë nga kufiri deri në Skenderaj. Takimi me ta ishte moment i veçantë që na mbushi me forcë e krenari.
Nga Prizreni, nën shoqërimin e luftëtarëve të Lirisë, vazhduam deri në Skenderaj, në takim me ish udhëheqësit dhe ushtarët e UÇK-së, për të cilët mixha kishte një porosi të qartë “Nëse doni me na i flladit zemrat edhe me na i shëru plagët tona, duhet të jini ma të bashkuar sot se kurrë, edhe me punu edhe më shumë se deri me tani”, kërkesë kjo që vlen dhe sot e asaj dite.
Kështu bashkë vazhduam deri në Prekaz, tek vendi i sakrificës e vetëflijimit për Liri. Këtu ishte përmbysur gjithçka, përveç kullave që qëndronin krenare me luftën dhe heroizmin që u zhvillua në to.
Fusha ku dikur loznim bashkë me të rinjtë e lagjes ishte mbushur me varre që simbolizojnë Lirinë tonë.
Afër nesh, përveç ushtarëve e qytetarëve, ishin dhe Baca Tush, babai i Komandant Fehmi Lladrovci dhe baca Halil, babai i Komandant Mujë Krasniqi, të cilët i dhanë forcë e kurajo mixhës Rifat dhe neve për të vazhduar jetën pa më të dashurit tonë, që ia falëm Lirisë së Kosovës.
Ishin momente të rënda për secilin nga ne, por përkrahja e madhe nga të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë Kosovës na bëri të fortë dhe bashkë filluam jetën e re në familjen me plot fëmijë që përveç emrit po trashëgojnë edhe frymën patriotike, në shërbim të atdheut.
Puna dhe angazhimi jonë i përbashkët për të vazhduar rrugën e të parëve tonë nuk duhet të ndalet asnjëherë, për më tepër lufta dhe heroizmi i tyre duhet të shërbejë motiv për punët e mira që duhet t’i bëjmë për shtetin dhe kombin tonë./Botapress/