Gazetari Vehbi Kajtazi ka kërkuar sqarime nga shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, për bisedat me Sllavko Simiqin e Listës Serbe dhe Millan Radojiçiqin, kriminelin e sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ai shtroi publikisht një pyetje se pse ka biseduar ajo me Simiqin, pas përgjimeve të publikuara të hënën dhe të martën nga Nacionalja, transmeton Botapress.
Mes tjerash, Kajtazi në Rubikon të Klan Kosovës u shpreh se Prokuroria e Shtetit duhet ta thërrasë Kusarin e të nisë hetime ndaj saj pasi “ka pasur biseda që të ndërhyet në sistemin e drejtësisë” për Radojiçiqin.
Për Kajtazin, nëse shteti arrin t’i sigurojë bisedat e Kusarit me Radojiçiqin, atëherë “do të zbardhen shumë çështje dhe se si funksionon ky shtet”.
“Shihet këtu qartë se zoti Sllavko, siç po i referohet zonja Kusari, ka shkuar i përgatitur të incizojë. Mënyra se si komunikon është përpjekje e tij e arritur, realizuar që zonja Kusari vetë me i konfirmu Zonja Kusari bisedat dhe telefonatat me të kërkuarin Millan Radojiçiqi, i akuzuar për vrasje, një njeri në listën e zezë të ShBA-së, pra, një person i cili konsiderohet prej ShBA-së që ka lidhje të ngushta me krimin ose është kriminel”, tha Kajtazi.
“Ky ka shkuar i përgatitur, e ka pasur misionin me i konfirmu bisedat, marrëveshjet që i ka pasur me zonjën Kusari. Tash përmbajtja është skandaloze, sepse, shefja e GP të partisë në pushtet, ka folur pesë herë me një të akuzuar për vrasje, ky po i thotë pesë herë, ajo s’po i thotë jo”, shtoi ai.
“Pika e tjetër është se zonja Kusari ka premtuar se do të flasë me kryeministrin dhe kryeministri me dy vartësit e tij, për Radojiçiqin. Ky është thelbi i kësaj çështjeje, pse është dashur partia në pushtet të komunikojë me një të akuzuar për vrasje? Zonja Kusari-Lila ka folur në telefon me Millan Radojiqiin dhe ka folur gjatë, mbramë zonja Kusari tha se ka folur vetëm një herë, kurse sot po del që ka folur pesë herë”.
Po ashtu, Kajtazi u shpreh i bindur se ka incizime të tjera që mund të publikohen ndërmjet Kusarit dhe Radojiçiqit.
“S’ka lidhje nëse ia publikojnë apo jo, e rëndësishme është roli i Radojiciqit në punët e brendshme të Kosovës. Nëse na del neve që partia në pushtet përjashtoi veteranët e luftës të dalin nga paga minimale, se di qysh mundet me qëndru në pushtet më gjatë, ku prek direkt njerëzit e luftës”./Botapress.info/