Drejtuesja e mediumit Koha, Flaka Surroi, e ka bërë një goditje të rëndë ndaj Qeverisë Kurti përmes një opinioni të botuar sot. Çka thotë aty?
Publicistja Flaka Surroi shpreh zhgënjim të thellë me mënyrën se si po qeveris Kurti në opinionin e titulluar “Hotel Promaja”.
Kritika e saj nuk është e koncentruar vetëm në çështjen e veriut të vendit. Ajo ndërton një mal akuzash të ndryshme për qeverisjen e Kurtit.
Të largohen disa ministra, nëse jo shumica
Surroi kritikon Kurtin për gjendjen e vendit në ekonomi, arsim, shëndetësi etj. Ajo madje vë në pikëpyetje krejt arsyen e ekzistencës së saj si qeveri.
“Cila është esenca e ekzistimit të një qeverie, e cila me gjithë fuqinë që e ka, nuk është në gjendje të bëjë asnjë ndryshim të madh substancial në këtë shoqëri e shtet?” – pyet znj. Surroi.
Publicistja e njohur kosovare tutje nënkupton se Kurti nuk po shkarkon disa ministra të tij për shkak se po ndjen turp për një gjë të tillë.
“Në gjysmë të mandatit, nuk është turp të dilet e të thuhet se ndryshimet janë të domosdoshme dhe se disa ministra, nëse jo shumica, nuk e kanë vendin aty ku janë ulur.” – thotë ajo.
Më specifikisht, znj. Surroi i mëshon Qeverisë – dhe në këtë pikë me shumë të drejtë – për mungesë të transparencës. Ajo e konsideron Qeverinë Kurti si qeverinë “absolutisht më jotransparente që ka pasur Kosova ndonjëherë.
“Mbyllja dhe mbajtja e informatave për vete lënë përshtypje se në këtë vend nuk ndodh asnjë gjë. Dhe se në fakt kemi hyrë në një fazë vegjetimi, me shpresën e vockël që dikur do të mund të këndellemi.” – argumenton Surroi.
Sulme tjera
Surroi megjithatë sulmon ashpër edhe partitë opozitare të vendit, për korrupsion masiv sa ishin në pushtet e për mungesë të ideve tash që janë në opozitë. Sulmon po ashtu edhe kryeministrin shqiptar Edi Ramën për “qasje paternaliste” ndaj Kosovës.
Ndërkohë, duket e ashpër edhe në lidhje me politikat e Kurtit për veriun e Kosovës
Ja se si argumenton për ngulmimin e Kurtit për ‘sundim të ligjit’ në pjesën veriore:
“Për dikë do të thotë mungesë e qartë e konceptit, idesë dhe synimit. Nëse synimi është vendosja e ligjshmërisë dhe sundimit të ligjit në veri, është zor të besohet se kjo do të mund të realizohet me njësitë speciale të Policisë. Kosova nuk ka policë mjaft sa për t’i luftuar të gjithë ata banditë që mund të vijnë nga Serbia. Nuk e ka as kapacitetin për t’i mbyllur hermetikisht kufijtë, dhe madje nuk mund ta përdorë as ushtrinë për veprim atje.” – shkruan ajo.
Surroi kërkon që Albin Kurti duhet t’i kërkojë dorëheqjen dy kryetarëve të komunave veriore nga partia e tij, ashtu siç duhet ta kërkojë edhe Memli Krasniqi.
“S’di, s’di,” – shprehu zhgënjimin në rreshtat e parë të shkrimit znj. Surroi. “S’di, s’di,” – po themi ne në përmbyllje të këtij shkrimi.
Lexo shkrimin e plotë duke klikuar KËTU.