Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se me këtë Qeveri nuk ngriten kapacitet e FSK-së në ushtri të rregullt sipas standardeve të NATO-s.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se shpenzimet për mbrojtje si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) janë dukshëm nën nivelin e kërkuar nga NATO-ja prej 2%.
Hoti ka thënë po ashtu se në kapacitetet e FSK-së do të ndikojë edhe përjashtimi nga ushtrimi më i madh i NATO-s, për të cilin Presidentja, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes nuk morën asnjë përgjegjësi.
Deputeti ka thënë se qeveria nuk është për punë, por janë të fokusuar vetëm në mashtrim të opinionit.
Postimi i tij i plotë:
Me këtë Qeveri nuk ngriten kapacitet e FSK-së në ushtri të rregullt sipas standardeve të NATO-s. Ja faktet.
Shpenzimet për mbrojtje si përqindje e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) janë dukshëm nën nivelin e kërkuar nga NATO-ja prej 2%.
Këto shpenzimet në vitin 2022 ishin 1.53%, ndërkaq më 2023 u ulën në 1.25%.
Problemi është se, sipas Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2024-2026, të cilën Qeveria e ka dorëzuar në Kuvend, trendi i shpenzimeve për mbrojtje si përqindje e PBB-së është rënës:
- 1.43% më 2024,
- 1.35% më 2025,
- 1.27% më 2026.
Për më tepër, në kapacitetet e FSK-së do të ndikojë edhe përjashtimi nga ushtrimi më i madh i NATO-s, për të cilin Presidentja, Kryeministri dhe Ministri i Mbrojtjes nuk morën asnjë përgjegjësi.
Tani edhe financimi nuk po shkon në drejtim të përmbushjes së standardit të kërkuar nga NATO-ja prej 2%.
Këta nuk janë për këtë punë. Këta nuk kanë rezon shtetëror. Këta janë të fokusuar vetëm në mashtrimin e opinionit. Ja fakti: e nxjerrin FSK-në në marshim në Mitrovicë, e në anën tjetër shpenzimet për mbrojtje i zvogëlojnë./Botapress.info/