Ish-emisari i ShBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka bërë një reagim pasi të hënën, tre zyrtarë policorë të Kosovës u liruan nga autoritetet e Serbisë dhe të njëjtit arritën në Kosovë përmes vendkalimit kufitar në Merdare, pasi më 14 qershor ishin rrëmbyer nga forcat serbe.
Ai e përshëndeti lirimin e tyre teksa shtoi se tani duhet parë uniteti i menjëhershëm ndërkombëtar “për t’i bërë presion” kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
Grenell u shpreh se Kurti duhet t’i largojë forcat speciale nga ndërtesat komunale në veri, që kryetarët e komunave të japin dorëheqje dhe të caktohet një datë për zgjedhje të reja atje.
“Nuk mund të lëmë më Kurtin të rrëshqasë pa pasoja të rënda”, ishte paralajmërimi i tij në Twitter, transmeton Botapress.info
Sipas Grenellit, lirimi i tre policëve shqiptarë është një “deskalim i qartë” nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Frika dhe emocionet e banorëve të Mitrovicës së Veriut janë reale – ata ndjehen të ngacmuar dhe të shënjestruar, dhe spitalet e tyre janë të pamjaftueshme. Situata është ndezëse dhe është turp që BE-ja dhe administrata e Bidenit nuk ishin as aty. Megjithatë, atje nuk është justifikim për të sulmuar KFOR-in apo gazetarët”./Botapress.info/