Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka prezantuar detaje nga aksioni i djeshëm i Policisë, ku u kap një veturë në Zveçan me armatim të rëndë, e cila po dyshohet se erdhi nga Serbia.
Në konferencë për media me ministrin Punëve të Brendshëm, Xhelal Sveçla, ai ka treguar për sasinë e madhe të armatimin që është kapur.
Së pari, Drejtori Hoxha ka treguar se si kanë ardhur deri te momenti i kapjes së veturës, si dhe ka shtuar se me anë të këtij akti, kryerësit synonin ta rrezikonin komunitetin, si dhe institucionet.
“Pas një pune intensive, njësitë e specializuara të Policisë së Kosovës në bashkëpunim me shërbimet intelegjente të Kosovës kanë siguruar informacione se strukturat ilegale dhe grupet kriminale, kanë deponuar një sasi të madhe të armatimit në Zveçan, me qëllim që të njejtat të përdorën për sulme terroriste ndaj qytetarëve, institucioneve e forcave të sigurisë që veprojnë në veri të vendit, duke përfshirë kështu edhe KFOR-in.
Me datë 23.06.2023 rreth orës 20:03 minuta, Policia ka kryer një kontrollë të veturës Audi A6 me targa BG955JË, ku është zbuluar një sasi e konsiderueshme e mjeteve shpërtyese, armëve të rënda luftarake dhe paisjeve të tjera ushtarake.” – ka thënë Hoxha.
Tutje Drejtori ka njoftuar për pozicionimin e kësaj veture, si dhe vlerësimin e rrezikut për qytetarët që banojnë, apo e kanë frekuentuar atë zonë
.”Vetura ka qenë e parkuar ndërmjet objekteve të banimit kolektiv, në Zveçan. Menjëherë janë marrë të gjitha masat e sigurisë nga pjestarët e Policisë së Kosovës për sigurinë e qytetarëve në atë zonë, pasiqë kjo sasi e madhe e armëve paraqet rrezik të jashtëzakonshme për banorët e asaj zone.
Policia e Kosovës menjëherë ka marrë të gjitha veprimet operative dhe hetimore për të sqaruar rrethanat e këtij rasti, dhe ka zbuluar se vetura ka qëndruar për një kohë në atë lokacion duke qenë rrezik permanent dhe me pasoja katastrofale të mundshme për qytetarët dhe banorët që kanë frekuentuar atë zonë.
Në vend të ngjarjes, përveq Policisë së Kosovës, kanë marrë pjesë pjestarë të KFOR-it dhe EULEX-it të cilët poashtu kanë bërë vendshiqimin.”- ka thënë ai.
Tutje Kryepolici, ka treguar në detaje se çfarë armatimi është sekuestruar.
“Gjësendet e gjetura në veturë janë si në vijim: 9 zolla, dy lansues, dy osa, një predhë e minahedhësit, 21 granada dore, 20 predha të trombllonit, dy mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike, një revole, një shurdhuese, 51 karikatorë të armëve të gjata, pesë karikatorë të armëve të shkurtëra, 5 mijë e 576 fishekë të kalibreve të ndryshme, 18 koktej molotovi, 17 mjete piroteknike, 14 mjete tymuese, pesë thika ushtarake, 11 jelekë anti-plmub dhe jelek taktik, nëntë uniforma ushtarake, një palë dylbi, dy maska pambuki për kokë, një dyshek ushtarak për nevoja të snajperistëve, 11 emblema të Severna brigadës, një telefon ajror me sim kartelë dhe me numër, tri radiolidhje, si dhe një sasi e narkotikëve. Si dhe vetura Audi A6.
Shumica e armatimit të sekuestruar është prodhim serb. Vlenë të theksohet se 15 nga grandat e sekuestruara janë të prodhuara në vitin 2021, dhe nga egzaminimet fillestare egziston dyshimi i bazuar se lloji i njejt I granatave është përdorur ndaj KFOR-it, në sulmet e datës 29 maj.” – ka thënë Hoxha.
Sveçla: Mbrojtja Civile dhe Severna Brigada të shpallen organizata terroriste
Tashmë është e qartë se kemi të bëjmë me organizime dhe përpjekje terroriste, ka thënë Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, duke folur në një konferencë për media nga Kampi Belvedere në lidhje me aksionin e djeshëm ku u kap një veturë me targa të Beogradit me një sasi të madhe armatimi. Këto armë të zëna, Sveçla tha se për synim kishin “sulme terroriste” ndaj vendit.
Por, tha ai, ky kontigjent i zënë armësh tregon se numri i armëve të këtyre “grupeve kriminale dhe terroriste është edhe më i madh” dhe se për shtetin kosovar “panorama është më e qartë se kurrë”.
“Granat e dorës janë prodhim serb i vitit 2021. Pra nuk janë armë të mbetur nga lufta e viteve 9-99. Janë të furznizuara drejtpërdrejtë nga ushtria serbe”.
Ministri tha se “nuk do të kenë sukses” përpjekjet që ai tashmë tha se “janë shndërruar në terroriste” ndërsa ftoi edhe faktorin ndërkombëtar “të reagojë ndaj këtyre ngjarjeve…terroriste”.
Mes tjerash, ai tha se ditëve në vijim do të kërkojë nga qeveria kosovare që grupet si Mbrojtja Civile dhe Severna Brigada të shpallen organizata terroriste “çka do ta bënte luftën ndaj këtyre organizatave më efikase”.