Kritikat e ashpra të Josep Borrelit për arrestimet në veri dhe parakalimin e FSK-së në jug, nuk janë pritur mirë në Kosovës. Përfaqësuesit me të lartë institucional dhe njohës të rrethanave politike në vend kanë qortuar shefin e diplomacisë evropiane. Sipas tyre, Borrell po bën thirrje për mosndëshkim të atyre që kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it.
Analisti politik Jusuf Thaçi është skandalizuar nga deklarata e shefit të diplomacisë së BE-së.
Nëse ky është qëndrim i BE-së, ka thënë ai, Kosova duhet të tërhiqet nga procesi i dialogut.
“Deklaratë skandaloze e z. Borell. Policia e Kosovës po arreston të dyshuar për sulme ndaj KFOR-it, ndaj Policisë dhe ndaj gazetarëve, për të cilët ka fakte e prova të forta (foto e video). Arrestimet po bëhen në përputhje me të gjitha procedurat ligjore. Në anën tjetër, FSK-ja po parakalon në territorin e Kosovës, pra në vendin e vet. Ku e ka hallin z. Borell? Çka nuk do të tolerojë ai? Arrestimin e kriminelëve? Parakalimin e FSK-së brenda Kosovës?”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”, duke përmendur edhe argumente tjera.
“Shpresoj që ky qëndrim i z. Borell nuk është edhe qëndrim i BE-së! Nëse po, atëherë Kosova duhet të tërhiqet urgjentisht nga i ashtu-quajturi dialog i ndërmjetësuar nga BE”, ka shkruar Thaçi.
Edhe opinionistja Kimete Berisha ka kritikuar ashpër zyrtarin e lartë evropian.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se Borrel është edhe kundër pavarësisë së popullit të tij.
“Borrell kundër Kosovës! Borrell është personazh qesharak por edhe i rrezikshëm, sepse jo vetēm që është kundër pavarësisë së Kosovës, por ai është edhe kundër pavarësisë së popullit të tij, katalonas. Borrell ështē katalonas por kategorikisht është kundër pavarësisë së Katalonisë, është kundër idealeve të babës së tij, që ishte i burgosur i regjimit të Francos”, ka shkruar ai.
Reagimet institucionale
Përgjigje të ashpër Borell ka marrë edhe nga përfaqësuesit e Kosovës.
Ndaj këtyre fjalëve të rënda të zyrtarit të BE-së, ka reaguar kryeministri Albin Kurti.
Kurti ka bërë me dije se ushtrimet e FSK-së në Mitrovicë të Jugut ishin të planifikuar, dhe KFOR-i ishte i informuar. “Ushtrimet e sotme të FSK-së në Mitrovicë të Jugut janë një aktivitet i planifikuar, për të cilin KFOR-i ishte i informuar. Kishte 215 ushtarë nga garnizoni “Minatori” deri në Frashër dhe pas. Dezinformimi është i rrezikshëm dhe i papranueshëm.”, ka shkruar Kurti në “Twitter”.
Ai ka thënë se në këtë situatë nuk duhet të shpërndahet panik.
“Duke shpërndarë panikë dhe pretendime të rrejshme, vetëm nxiten tensione dhe ndihmojnë ata që tentojnë të ekskalojnë ato. Një thirrje për të gjithë: ju lutem konfirmoni burimet tuaja dhe prisni për informacione zyrtare nga institucionet e Kosovës, para se të vendosni që të përfshiheni në transmetim të lajmeve apo të parashikoni ngjarjes”, ka shkruar Kurti.
Edhe më e ashpër ka qenë ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Gërvalla përmes një shkrimi në Twitter, ka pyetur nëse BE po bën thirrje për mos t’i ndëshkuar ata që sulmuan NATO-n.
“A po bën thirrje BE-ja për mosndëshkim për ata që sulmuan NATO-n? Policia ka prova të qarta se personi i arrestuar sot ka marrë pjesë në sulmin kundër NATO-s më 29 maj. Arrestimi u bë në bazë të nenit 71 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, kështu që nuk ka asgjë jashtëgjyqësore.” – tha ajo.
Veprimet e fundit të institucioneve të Kosovës në Mitrovicë dhe në veri janë kundërshtuar nga kryediplomatit evropian, Josep Borrell.
Në reagimin e tij, ai ka pasur dy kritika të ashpra për Kosovën dhe një për Serbinë.
Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se BE-ja nuk do t`i tolerojë këto gjera.
“Shumë i alarmuar nga situata në veri të Kosovës: arrestime jashtëgjyqësore të serbëve të Kosovës dhe Forcave të Sigurisë së Kosovës që marshojnë në Mitrovicën e Jugut; e ndjekur nga retorika e rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të djeshëm të menaxhimit të krizës, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë.” – ka shkruar ai.