Serbia u kthye ta kujtojë rastin e vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq në vtitin 2018, duke e akuzuar Gjermaninë se po e mbron autorin, që sipas tyre, është një shqiptar i Kosovës. Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë tha se deklaratat janë të pavërteta.
Kur kanë kaluar mbi 5 vjet nga vrasja e politikanit serb, Oliver Ovanoviq, ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq vendosi të dalë të mërkurën në foltoren e Kuvendit për të thënë diçka të rëndësishme. “E dimë saktësisht se kush është vrasësi”, tha Gashiq.
Këta janë tre të dyshuarit që plagosën 37-vjeçarin në diskotekën ‘Lit’ në Prishtinë
Sipas ministrit serb, autori është nën mbrojtjen e autoriteteve gjermane.
“Ne kemi një video nga aeroporti i Tiranës, kemi fotografi nga Prishtina, kemi fotografi që shfaq atë duke hyrë në një banesë në Prishtinë”, tha Gashiq, pa ofruar detaje apo ndonjë dëshmi për t’i mbështetur pretendimet e tij.
Ai tha se u kanë kërkuar ndërkombëtarëve imazhe satelitore të skenës ku u krye vrasja, por tha se ata ishin arsyetuar se në ditën e vrasjes “kishte qenë ditë me mjegull”.
Gjermania e demanton keq Serbinë: Deklaratat të pavërteta
Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë i ka hedhur poshtë pretendimet e Beogradit se Gjermania e ka nën mbrojtje personin që ministri serb tha se e ka vrarë Ivanoviqin.
“Deklaratat që thonë se dorasi është nën mbrojtjen e autoriteteve gjermane nuk janë të vërteta. Qeveria gjermane nuk ka pranuar asnjë kërkesë nga autoritetet serbe për këtë çështje”, tha Ambasada në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Gjermania, siç thotë Ambasada gjermane, nuk ka dijeni se kush e ka vrarë Ivanoviqin.
Vuçiq e kishte përmendur një shqiptar
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në vitin 2019 e kishte përmendur Florim Ejupin, shqiptarin nga Kosova që jeton në Gjermani, si vrasës të Oliver Ivanoviqit.
Vuçiq kishte kërkuar nga ndërkombëtarët pamjet e kamerave nga aeroporti i Tiranës, për, siç thoshte, “lëvizjen sekrete të personit të quajtur Florim Ejupi, i cili është nën vëzhgim në Gjermani”.
“Çfarë po bënte ai në aeroportin e Tiranës. Ai më pas lëvizi drejt Kosovës dhe u zhduk përsëri, e sërish po kthehej në Gjermani nga po i njëjti aeroport”, deklaronte Vuçiq më 3 korrik 2019.
Këto pretendime i kishte mohuar vetë Florim Ejupi, duke nxjerrë një dokument që sipas tij, dëshmonte se kishte qenë në Gjermani duke ndjekur një kurs kur ishte vrarë Ivanoviqi.
“I falënderohem Zotit dhe shtetit ku jam që nuk merren me deklarata koti. Shteti gjerman e di ku kam qenë në atë kohë. Ata e dinë mirë që kam qenë në shkollë. Edhe kësaj radhe edhe herëve tjera, Vuçiqi dhe udbashat tjerë ia kanë futur”, pati thënë Ejupi.
Atëherë raportohej se Ejupi e kishte njoftuar policinë për akuzat, por se autoritetet gjermane i kishin thënë “të mos shqetësohej për atë rast”.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018 para zyrës së partisë së tij në Mitrovicën e Veriut me gjashtë plumba në shpinë.