Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është alarmuar me vendimin e ri të ARBK-së për të suspenduar serish certifikatën e biznesit për Klan Kosovës.
Përmes një reagimi, AGK-ja ka vlerësuar se vendimi i ri i ARBK-së dëshmon përpjekjen e Qeverisë për të goditur mediat në Kosovë.
“AGK-ja, rikthekson se vendimi i ri e dëshmon përpjekjen e Qeverisë së Vetëvendosjes të udhëhequr nga Kryeministri Kurti për të goditur mediet në Kosovë, dhe për të kufizuar lirinë e mediave e për t’iu dërguar mesazhe paralajmërimi edhe medieve të tjera në vend. Një veprim i tillë është i papranueshëm dhe joserioz, dhe do të dëmtojë më tutje ambientin medial në Kosovë”, është thënë në reagim.
Asociacioni i gazetarëve ka kërkuar që të mos bëhet presion për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar.
“AGK-ja, bën thirrje që të lejohet kohë dhe të mos ketë presione për plotësimin e dokumentacionit të kërkuar, në pritje të vendimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve”, është thënë në reagim.
Pas vendimit të djeshëm për anulimin e pezullimit të certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, ARBK-ja sot ka marrë një vendim të ri për ta anuluar vendimin e djeshëm dhe për ta mbajtur në fuqi vendimin fillestar të datës 14 qershor.