Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu ka thënë se me udhëheqjen e Qeverisë nga Albin Kurti, në vend ka më pak sovranitet e siguri, shkruan Gazeta Express.
Deliu deklaroi se janë të shqetësuar për bashkëpunimin e qeverisë me vendet mike
“Jemi më shumë se kurrë të shqetësuar për nivelin e bashkëpunimit të qeverisë me partnerët e saj strategjik. Sot fatkeqësisht qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i ka mbyllur dyert me diplomacitë e vendeve mike, me miqtë tanë me të cilët arritëm e bashkudhëtuam për më shumë se dy dekada. Sot si rezultat i qasjes aventureske të Albin Kurtit kemi më pak sovranitet në pjesën veriore, më pak siguri e më pak siguri e shtet”, deklaroi ajo.
Më tutje, deputetja e PDK-së e përmendi edhe deklaratën e kryeministrit Kurti, për Sekretarin Amerikan të Shtetit Anthony Blinken.
“Ata nuk kanë votuar kryeministrin e Kosovës për ta konsideruar naiv sekretarin e Shtetit, z.Blinken. Sot vendi ynë është në qorr-sokak, e kryeministri ynë në panik”, tha ajo.
Deliu i bëri thirrje kryeministrit që t’i kërkojë falje Blinkenit për këtë deklaratë.
“I bëjmë thirrje t’i kërkojë falej publike z.Blinken për deklaratën e tij skandaloze për të. Kërkim falja e Albin Kurtit për z.Blinken është e domosdoshme për sa kohë që ai është kryeministër”, tha ajo.
Ndërsa për sa i përket arrestimit të tre zyrtarëve piolicor nga Serbia, Deliu tha se shteti fqinj ka shkelur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
“Tetë ditë më parë njësitet speciale të Serbisë rrëmbyen brenda territorit të Republikë2s së Kosovës tre zyrtarë policor në Kosovë, të cilët ishin në krye të detyrë, në patrullim të vijës kufitare e në luftim të kontrabandës e kriminalitetit në veri. Serbia sikurse edhe në rastet e tjera bëri shkelje flagrante të sovranitetit dhe rë integritetit territorial të Kosovës”, deklaroi ajo. /Botapress.info/